Ndërsa duhen edhe 2 ditë që Kosova të festojë 10-vjetorin e Pavarësisë, shteti më i ri në Europë ka marrë një dhuratë para “ditëlindjes”, duke u njohur edhe nga një tjetër shtet.

Barbadosi është shteti i radhës që ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet i Pavarur. Lajmin e kanë njoftuar përmes rrjeteve sociale, si Presidenti Hashim Thaçi, ashtu edhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli.

“Faleminderit Barbados për njohjen e Kosovës sonte! Dhurata më e mirë e ditëlindjes për festimet e Pavarësisë së Kosovës!”, shkruan Thaçi në Twitter.

Ndërsa Pacolli po në “Twitter” shkruan “Shumë i kënaqur të njoftoj se Barbados ka njohur Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran. Faleminderit kolegut tim Maxine McClean për këtë vendim të marrë në prag të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar!”

Ministri i Jashtëm postoi gjithashtu edhe dokumentin zyrtar qe njofton njohjen nga ana e shtetit ishull ne Karaibe. Bashke me Barbadosin numri i vendeve që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës shkon në 116. Me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë autoritet kanë organizuar një sërë aktivitetesh.