Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, është në dorëheqje nga posti i kryeministrit tanimë 322 ditë, në vend 100 ditëve, ashtu siç është e paraparë me Marrëveshjen e Përzhinës, transmeton Portalb.

Gruevski në një intervistë për TV “Sitel”, ishte kategorik se nuk do të jep dorëheqje as s’do të formojë Qeveri Kalimtare, pasi që siç tha ai, ai do të ishte një akt qyqar.

Megjithatë, koha tregoi se edhe pse Gruevski ishte i bindur se do të qëndrojë në pozitën e kryeministrit, ai tanimë plot 1 vit është vetëm lider i partisë politike.

Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duhej të mbahen më 24 prill, për atë Gruevski nga pozita e kryeministrit dha dorëheqje më 15 janar të vitit 2016.

Një ditë përpara se të jep dorëheqje, Gruevski në fjalimin përpara opinionit deklaroi se po jep dorëheqje për të mirën e shtetit.

“Kjo dorëheqje e paraqet fuqinë në bindjen tonë dhe besimin në demokracinë. Qëllimet e tona janë zgjedhjet e pastra të cilat nuk do të japin hapësirë për justifikim nga asnjëri. Jemi të bindur se këtë që e bëmë është për të mirën e shtetit”, tha Gruevski.

Për kryeministër të ri, me detyrë që t’i zbatojë zgjedhjet, u zgjodh sekretari gjeneral i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev, i cili në karrigen e kryeministrit po qëndron thuajse plot 1 vit. Vendimi që Dimitriev të vijë në krye të Qeverisë Kalimtare, u soll në seancë të Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, ndërkaq u konstatua edhe nga Komiteti Qendror i partisë.

Atëherë, Ilia Dimovski tha se kryetari i partisë, Nikolla Gruevski, e ka përkrahjen e plotë të Komitetit Qendror dhe se ai përsëri do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gruevski tani është bartës i listës në Njësinë Zgjedhore numër 4, përcjellë Portalb.

Me kërkesë të opozitës, zgjedhjet u anuluan dy herë, njëherë për 5 qersher, ndërkaq më pas datë përfundimtare u vendos 11 dhjetori.

Përveç dorëheqjes së Gruevskit, Marrëveshja e Përzhinës ka paraparë edhe dorëheqjen e ministrit të Punëve të brendshme dhe të Punës dhe Politikës Sociale dhe në ato vende u vendosën kuadro të LSDM-së. Si mekanizma plotësues kontrollues u sollën edhe zëvendësministra plotësues në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë.

Ashtu siç janë ndërruar datat për zgjedhje, ashtu edhe ministrat dhe zëvendësministrat plotësues të LSDM-së, Oliver Spasovski, Frosina Remenski, Kire Naumov, Lupço Nikollovski dhe Aleksandar Kiracovski, kanë dhënë dorëheqje dhe  përsëri janë kthyer në funksion.

Vetëm Gruevski nuk u kthye në funksionin e kryeministrit, i cili ia la Dimitrievit thuajse 1 vit.

Marrëveshja e Përzhinës nuk ishte e precizuar për afatet në të cilat duhej të formohet Qeveria Kalimtare pa Gruevskin, sepse përmban formulime të tipit “në kohën e duhur” dhe “do të jep dorëheqje në kohë”.

Ja saktësisht për këtë çfarë parasheh Marrëveshja e Përzhinës:

“Qeveria aktuale do ta jep dorëheqjen zyrtare nga Kuvendi në kohë të të duhur, të mundësojë që Qeveria të inaugurohet më 15 janar të vitit 2016, 100 ditë përpara zgjedhjeve parlamentarë të cilat do të mbahen më 24 prill të vitit 2016”.

Sipas Kushtetutës nëse zgjedhjet e 11 dhjetorit mbahen me sukses dhe i plotësojnë pritjet e qytetarëve, partitë dhe garantuesit e Marrëveshjes së Përzhinës, përbërjen e re do të konstatojnë deri më 31 dhjetor, ndërkaq Qeveria e re do të formohen në mes të shkurtit të vitit 2017. Kjo do të thotë se Gruevski, definitivisht do të jetë në dorëheqje nga pozita e kryeministrit më shumë se 1 vit. /Portalb