Ka lindur në vitin 1896. Në shekullin 21 ajo është ende vitale dhe mban mend shumë mirë gjithçka nga jeta e saj, madje edhe martesën me bashkëshortin e saj të ndjerë. Abide Dushi në shtator i ka mbushur 121 vjet.

Ajo ka lindur në fshatin Lum të Madh të Vushtrrisë para më shumë se një shekulli. E mban mirë Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, e edhe këtë të fundit që ka ndodhur në vitin 1999.

Ndonëse e moshuar ajo e kujton fort mirë kohën në të cilën ka jetuar. Rrudhat e saj tregonin për vitet dhe vuajtjet në të cilat ajo ka kaluar. Lëkura e saj e bardhë si dëbora, duart e buta që i dridheshin, rrobat e saj të pastra, urtësia e saj tregonin karakterin e gruas.Kështu ajo filloi të tregojë për jetën e saj, edhe pse e shtyrë në moshë ajo mbante mend shumë gjëra për të kaluarën.“Kom lind në fshatin Lum i Madh, kur i kom pas 18 vjet jom martu në fshatin Hade. Kom qenë e lumtur me plakun tem. Ai ka punu në minierë s’kena pas qaq kushte të mira për me jetu, po mir u kanë”, rrëfen 121 vjeçarja Abide Dushi.Sekreti i jetëgjatësisë së saj thotë se është qumështi i deleve. “Kam pasur dele gjithmonë. Tamlin e tyre hala e pi. Nuk pi kafe, e as nuk ha ushqim të yndyrshëm”, thotë ajo.Abidja ka filluar të ketë problem me frymëmarrjen, por jo edhe me kujtesën.Por jeta e saj ka qenë e dhimbshme. Të gjithë fëmijët i kanë vdekur nga shkaqe të ndyshme. Tani Abidja jeton me thjeshtërit në Shkup. Ajo Kosovën e viziton herë pa herë. Këtu ka familjen e cila e pret për çdo fundvit me plot dashuri.E në gjithë territorin e Kosovës llogariten të jenë mbi 70 persona të cilët kanë kaluar moshën mbi 100 vjeçare. Prej tyre rreth 52 persona i takojnë gjinisë femërore. E primatin për jetëgjatësi e mban qyteti i Prizrenit me 17 persona mbi 100 vjeç./Express/