LR-PDSH

Tetovarët në halle të mëdha nga ndotja. Derisa gjatë stinës së dimrit luftojnë me ndotjen e ajrit nga fabrikat që nuk plotësojnë standardet ekologjike, mes tyre më i njohur është rasti me fabrikën Jugorohrom, ndërsa gjatë stinës së verës, tetovarët hasin në ndotjen që shkakton deponia e mbeturinave, ndërsa javës së fundit edhe ndotja e ujit të pijshëm. Më shqetësuese është lajmi për ndotjen e ujit të pijshëm me fekale të ndryshme. Me këtë rast reagon Lëvizja për Reforma për shkak të papërgjegjësisë së administratës komunale në Tetovë për këto probleme. Më posht mund të lexoni reagimin e plotë të Degës së Tetovës.

“Qyteti i Tetovës është në shënjestër të herëpashershme me goditjet që po i jep keq-qeverisja lokale, nga politikat e mbrapshta të kësaj administrate komunale që udhëhiqet nga kryetarja Teuta Arifi. Tetova u shndërrua në një qytet që ka etje të domosdoshme për ujë të pijshëm, mjedis urban dhe infrastrukturë të rregulluar mirë për qytetarët e saj. Uji është elementi bazë për ekzistencë, ndërsa tetovarët janë viktimë e kësaj administrate komunale që dhe ujin e pijshëm u servohet qytetarëve me përzierje të kanalizimeve fekale, që për këtë veprim të pandërgjegjshëm kryetarja Teuta Arifi duhet të përballet me përgjegjësinë morale ndaj qytetarëve të saj”.

“Lëvizja për Reforma PDSH – Dega Tetovë reagon ashpër ndaj këtij fenomeni të pazakontë, dhe dënojmë këtë akt mjaft të ulët dhe krejt të pandërgjegjshëm të kryetarës, që ujërat e zeza të kanalizimeve të futen në gypat e ujit për pije dhe të mos ndërmerren masat e duhura preventive ndaj shëndetit të qytetarëve. Ju flisni për Evropën, por përpara se të mendoni të flisni për Evropën duhet të dini se atje ka përgjegjësi shoqërore, përgjegjësi morale dhe juridike, nocione këto, të panjohura për ju! Atje, madje edhe fekalet e kafshëve shtëpiake hidhen në korpa të veçanta, ndërkohë që në Tetovë, fekalet hidhen gjithandej, duke mos kursyer as edhe ujin për pije”. – përfundon reagimi i Degës së LR-PDSH-së në Tetovë.
 
Brenda ditës pritet reagimi edhe i partive të tjera opozitare.

©fol.mk