Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit me seli në Kumanovë për vitin e katërt me radhë e realizon Projektin e Dimrit në bashkëpunim me organizatën gjermane MuslimeHelfen.

Ky projekt ka për qëllim që t`i ndihmohet familjeve më të varfra nga Komuna e Kumanovës dhe Likovës, ndërsa sivjet në të janë të përfshira edhe familjet e prekura nga vërshimet në rajonin e Shkupit si dhe në qytetin e Shkupit.

Për këtë vit kanë përfituar gjithsejtë 165 familje nga Komuna e Kumanovës, Likovës, rajonit të prekur nga vërshimet në Shkup dhe qytetit të Shkupit, ku për familje janë caktuar nga 5 dhe 4 metra dru.

Kryetari i Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit me seli në Kumanovë, Baki Ukshini, në një prononcim për medie deklaroi se në këtë projekt janë të përfshira familjet që i kanë plotësuar kriteret e caktuara nga Bordi i QSA-së në Kumanovë në koordinim me kërkesat e organizatës donatore, MuslimeHelfen.

“Si gjatë viteve të kaluara edhe sivjet në afat rekord e realizuam Projektin e Dimrit, duke iu falënderuar fillimisht donatorit MuslimeHelfen dhe vullnetit të çeliktë të aktivistëve tanë në terren që i duruan motit të ftoftë deri në realizimin përfundimtar të këtij projekti. Ky projekt u krijua si nevojë e vazhdueshme e banorëve të varfër të këtyre anëve, Komunës së Kumanovës, Likovës dhe më gjërë, dhe synohet që në të ardhmen të zgjerohet. Sinjalet nga donatori dhe të interesuarit për projektin në fjalë janë që i njëjti të zgjerohet me qëllim që edhe familjet që nuk janë të përfshira në të e që kanë nevojë për projektin e dimrit të përfshihen.”, deklaroi Ukshini.

Përndryshe sivjet në Hasanbeg kanë përfituar 69 familje nga 4 metra dru për ngrohje, në Shkup (Çair) kanë përfituar 5 familje  nga 5 metra dru për ngrohje, në Komunën e Kumanovës kanë përfituar 58 familje nga 5 metra dru për ngrohje dhe në Komunën e Likovës kanë përfituar 33 familje nga 5 metra dru për ngrohje.