Sipas Albin Kurti, bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk mund të ndodhë në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Vetëvendosjes ka thënë se nëse ai bëhet kryeministër do të respektojë simbolet e Kosovës, ndërsa në takimet me Shqipërinë s’do të “bie në sy në cilën anë ishte cili flamur, ai kombëtar a shtetëror”.

“Si kryeministër, simbolet e shtetit, për çka kam vërejtjet e mija, do t’i respektoj. Në takimet ndërkombëtare jo që do ta kem, por do ta kem edhe në takime me Shqipërinë, por substanca do të jetë prioriteti për mua. Kjo do të thotë që në takimet me qeverinë e Shqipërisë, s’do të shihet në cilën anë ishte flamuri, por do të kemi marrëveshje jo për kamera, por për zbatim. Tregu i përbashkët, regjistri i përbashkët civil, i bizneseve, komisionet e përbashkëta qeveritare për punë të jashtme, janë tema që do t’i trajtoj me kryeministrin Rama, pos aksit Gjakovë Shkodër”, ka thënë ai.

Për bashkimin kombëtar, Kurti ka thënë se ai s’mund të ndodhë në BE, e mund të ekzistojë ideja e një federate.

“S’mund të them që bashkimi kombëtar ndodh në BE. Atje bashkohem me danezët, austriakët e spanjollët. Bashkimi jonë duhet të ndodhë këtu. Do të përdorsha togfjalëshin e Arbën Xhaferit “Intencën historike të shqiptarëve për bashkim”. Nuk e zgjedhim ne bashkimin, por ai na zgjedh. Jemi ashtu si jemi shqiptarë për intencën e këtij bashkimi. S’ka komb tjetër ku ka burra me emër Bashkim. Ka burra me emër flamur. Kjo intenca historike është ajo që na bën. Në anën tjetër, Ukshin Hoti e ka tezën të saktë që bashkimi kombëtar e bashkimi Evropian nuk e zëvendësojnë njëra tjetrën e as nuk e përjashtojnë. E treta do të shtoja që Kosova e Shqipëria kanë nevojë të afrohen, të integrohen drejt bashkimit edhe në idenë e një federate. Sikur Gjermanitë, me decentralizim të institucioneve. Institutin e Historisë do ta kishim në Prizren gjithë populli ynë. Universitetin e arteve në Pejë, atë të mineraleve në Mitrovicë. Atë të Turizmit në Vlorë ose Durrës. Gjykatën Kushtetuese në Shkodër”, ka deklaruar ai.

Sipas tij ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë ka qenë edhe ide që “pasi shteti po dështon hajt të bëhemi bashkë me Shqipërinë”.

“S’besoj që bashkimi bëhet përmes dështimit, por përmes suksesit. Këtu jam saktësisht e kundërta e presidentit. Ai thoshte se s’bëhet ky vend e s’ka shpresë, rrjedhimisht t’ia kthejmë dhuratën Rankoviqit siç thoshte e të bashkohemi me Shqipërinë. Unë mendoj të kundërtën, suksesi i Kosovës na bashkon me Shqipërinë, jo dështimi”, ka shtuar ai.\kohavizioni.