Nga: Nikolai Berdyaev (Fragment nga libri “Mbi robërinë dhe lirinë njerëzore”, 1939)
Përktheu: Salajdin Salihu

Gjithnjë duhet përsëritur se njeriu është qenie kundërthënëse dhe në konflikt të përhershëm me vetveten. Njeriu e kërkon lirinë. Tek ai ka një shtytje të madhe drejt lirisë. Ai jo vetëm robërohet lehtë, por edhe e do robërinë. Njeriu është edhe sundues, edhe rob. Te Hegeli, në “Phanomenologies des Geistes” ekzistojnë mendime tërheqëse për sunduesin dhe robin, për Herrschaft dhe Knechtschaft. Këtu nuk bëhet fjalë për kategoritë sociale të sunduesit dhe robit, por për diçka më të thellë. Ky është problem i strukturës së dijes.

Unë shoh tri gjendje të njeriut, tri struktura njohjeje, që mund të emërohen si: “sundues”, “rob” dhe “njeri i lirë”. Sunduesi dhe robi janë në korrelacion dhe nuk mund të ekzistojnë njëri pa tjetrin. Njeriu i lirë, megjithatë, ekziston vetëm për vete, ai e ka në vetvete atë cilësi pa qenë në korrelacion me të kundërtën. Sunduesi shpreh një vetëdije që ekziston vetëm për vete, e cila, përmes tjetrit, përmes robit, ekziston për vete. Nëse vetëdija e sunduesit është vetëdije për të ekzistuar tjetri shkaku i vetes, atëherë vetëdija e robit është ekzistenca e tij për tjetrin. Kurse vetëdija e njeriut të lirë është vetëdije për ekzistimin e të gjithëve shkaku i vetvetes, por edhe për dalje të lirë nga vetvetja ndaj tjetrit dhe të gjithëve. Kufiri i robërisë është mungesë e vetëdijes së saj.

Bota e robërisë është botë e largimit të shpirtit nga vetvetja. Eksteriorizimi është burim i robërisë. Liria, megjithatë, është interiorizim. Robëria gjithmonë ka kuptimin e diçkaje të huaj, flakje e natyrës njerëzore jashtë saj. Foerbahu, pastaj edhe Marksi, e kuptuan këtë burim të robërisë njerëzore, por e ndërlidhën me filozofinë materialiste, e cila është ligjësim i robërisë njerëzore. Tjetërsimi, eksteriorizimi, flakja tej e natyrës shpirtërore të njeriut – d.m.th. robëri njerëzore.

Robëria njerëzore ekonomike vazhdimisht e bën të huaj natyrën njerëzore dhe e orienton njeriun drejt gjësendeve. Këtu Marksi ka të drejtë. Por, për shkak të çlirimit të njeriut atij doemos duhet t’i kthehet natyra e tij shpirtërore, ai doemos duhet ta kuptojë vetveten si qenie e lirë dhe shpirtërore. Nëse njeriu mbetet qenie materiale dhe ekonomike, atëherë natyra e tij shpirtërore konsiderohet si iluzion i vetëdijes, gënjeshtër e ideologjisë, kurse në këtë rast njeriu mbetet rob dhe rob është për nga natyra. Njeriu në botën e objekteve mund të jetë vetëm relativisht e jo absolutisht i lirë, kurse liria e tij ofron luftë dhe kundërshtim të nevojës, e cila doemos duhet ta mposhtë. Liria që është rezultat nevoje nuk do të jetë liri e plotë, është vetëm element në dialektikën e nevojës. Hegeli, në fakt, nuk ka kuptim për lirinë e vërtetë.

Vetëdija që është eksteriore, e tjetërsuar, gjithnjë është vetëdije robi. Zoti është mbret, njeriu është rob, kisha është mbret, njeriu është rob, shoqëria është mbret, njeriu është rob, objekti është mbret, njeriu – subjekt është rob. Burimi i robërisë gjithnjë është objektivizimi, kjo do të thotë eksteriorizim, tjetërsim. Ajo është robëri në gjithçka – në njohje, moral, religjion, art, në jetën politike dhe sociale. Ndërprerja e robërisë është ndërprerje e objektivizimit. Kurse ndërprerja është ana e kundërt e robërisë. Njeriu është i detyruar të mos jetë sundues, por njeri i lirë. Platoni fliste qartë se edhe vet tirani ishte rob. Robërimi i tjetrit është gjithashtu edhe robërim i vetvetes. Robërimi dhe ndjenja për pushtet janë burimisht të lidhura me magjinë që nuk e njeh lirinë. Magjia e parë ishte dëshira për pushtet. Sunduesi është vetëm imazh i robit që e shpie botën në mjegullnajë.

Prometheu është i lirë dhe çlirimtar, kurse diktatori është rob dhe robërues. Vullneti për pushtet është gjithnjë vullnet robi. Krishti është i çliruar, më i lirë në mes apostujve. Ai është çliruar nga bota. Ai të ofron vetëm përmes dashurisë. Krishti fliste si dikush që kishte pushtet, por ai nuk kishte vullnet për pushtet dhe nuk ishte prijës. Cezari, heroi i imperializmit, është rob, rob i botës, rob i vullnetit për pushtet. Sunduesi e njeh vetëm lartësinë në të cilën ngritet robi, Cezari e njeh vetëm lartësinë në të cilën e ngrenë turmat. Por, robërit, mu sikur turmat, i rrëzojnë të gjithë sunduesit dhe të gjithë cezarët. Liria është liri jo vetëm shkaku i sunduesit, por edhe shkaku i robit. Sunduesi është i determinuar nga jashtë, sunduesi nuk është personalitet, ashtu siç nuk është personalitet as robi, personalitet është vetëm njeriu i lirë, madje edhe sikur e gjithë bota të dëshironte që ta mposhtte.

Rënia njerëzore më së miri shprehet përmes asaj se njeriu është tiran. Tendenca drejt tiranisë është e përhershme. Ai është tiran nëse jo në masë të madhe, atëherë në masë të vogël, nëse jo në shtet, nëpër rrugët e historisë botërore, atëherë në familjen e tij, në punëtorinë e tij, në zyrën e tij, në punën e tij burokratike ku ai merr një funksion të vogël. Njeriu ka një prirje të pamposhtur të aktrojë dhe në këtë rol i jep rëndësi vetvetes, ta tiranizojë rrethin. Njeriu është rob jo vetëm nga urrejtja, por edhe nga dashuria. I dashuruari mund të jetë një tiran i tmerrshëm. Dashuria është paraqitje e tiranisë në formë të përvuajtjes. Xhelozi është i robëruari që jeton në botën e fiksimeve dhe halucinacioneve. Njeriu është tiran edhe për vetveten dhe mbase tirani më i madh i vetvetes. Ai tiranizohet vetvetiu si qenie e ndarë që e ka humbur plotninë. Ai tiranizon veten me ndjenjën e rreme të fajit. Vetëdija e vërtetë për fajin do ta çlironte njeriun. Ai e tiranizon veten me besime të rreme, me vetëbesimin, me mitet. Tiranizohet nga frikësimet e llojllojshme, nga komplekset e sëmura. Tiranizohet duke qenë i varur, i vetëmburrur, duke menduar të keqen.

Varshmëria e dhimbshme është tirania më e tmerrshme. Njeriu tiranizohet vetvetiu duke krijuar për veten ligësinë dhe asgjënë, duke qenë i uritur për pushtet e madhështi. Përmes vullnetit për të robëruar ai nuk e robëron vetëm tjetrin, por edhe vetveten. Ekziston një tendencë e përjetshme drejt despotizmit, urisë për pushtet dhe sundim. E keqja e parë është pushteti i njeriut mbi njeriun, nënçmimi i dinjitetit njerëzor, dhuna dhe sundimi. Eksploatimi i njeriut mbi njeriun, që Marksi e konsideron si e keqja e parë, prodhon të keqen, një dukuri kjo e mundshme si mbizotërim i njeriut ndaj njeriut. Njeriut i mbetet të sundojë tjetrin, sepse për nga struktura e vetëdijes së tij ka mbetur rob i vullnetit për të sunduar. Me të njëjtën forcë që e robëron tjetrin, ai e robëron edhe vetveten. Njeriu i lirë nuk dëshiron askënd ta sundojë.