1606 –Anijet Susan Constant, Godspeed, and Discovery nisen nga Anglia me kolonët që do të vendoseshin në Jamestown, Virginia, e para e trembëdhjetë kolonive që u bënë Shtetet e Bashkuara

1776 – Veprimtari politik anglez dhe amerikan Thomas Paine boton në Pensilvani, esenë e parë në serine e pamfleteve me titull “Kriza amerikane “, ku ai shpreh mbështetje për pavarësi dhe vetë-qeverisje të kolonive britanike në Amerikë. Për gjeneralin George Washington pamfleti i parë ishte aq frymëzues, sa urdhëroi që të lexohej me trupat.

1924 – Ahmet Zogu me forcat e tij vazhdojnë marshimin drejt Tiranës kundër qeverisë së Fan Nolit. Në zonën e Mirditës ato ndalen nga forcat e Marka Gjonit, i cili i la të kalonin vetëm pasi Zogu i premtoi se kur të vinte në pushtet, do ta njihte Marka Gjonin si kreun e Mirditës.

1932 – BBC fillon transmetimet ndërkombëtare (Shërbimi Botëror i Lajmeve), si radio e Perandorisë britanike. Më 3 janar 1938, u hap shërbimi i parë në gjuhë të huaj, në arabisht. Programet në gjuhën gjermane filluan në mars 1938; deri në fund të vitit 1942 transmetimet u përhapën në të gjitha gjuhët kryesore evropiane.

BBC i filloi transmetimet në gjuhën shqipe në vitin 1940; i ndërpreu ato më 1967, për t’i rifilluar më 1993. Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të pakësimit të fondeve, më 28 shkurt 2011, BBC në shqip transmetoi emisionin e saj të fundit në radio. Këmbana e madhe apo Big Ben e Londrës, që hap emisionet e BBC-së, nuk do të binte më për shqiptarët.

1941 – Lufta e Dytë Botërore: Pas humbjeve të vazhdueshme në frontin rus, Adolf Hitler merr përsipër rolin e Komandantit të Përgjithshëm të ushtrisë gjermane.

1979 – George Konstantine Nikopolos , greko-amerikani njohur si “Doktor Nick”, mjeku personal i Elvis Preslit, akuzohet se në periudhën para vdekjes i kishte dhënë këngëtarit të madh mbidoza barnash të llojeve amphetamine, qetësues, pilula gjumi dhe hormone. Dr. Nik nuk i pranoi akuzat duke thënë se ishte përpjekur për t’a ndihmuar Elvisin që të shkëputej nga varësia e barnave drogë. Në këtë përfundimin arriti edhe juria, dhe dr. Nik u lirua nga akuzat për vrasje, por iu hoq përkohësisht e drejta e ushtrimit të profesionit të mjekut.

1983 – Kupa botërore e FIFA-s, Juless Rimet, vidhet në Brazil. Në vitin 1970, ekipi brazilian fitoi kupën për herë të tretë, duke u lejuar për ta mbajtur përgjithmonë kupën origjinale prej ari, siç ishte përcaktuar nga kryetari i parë i FIFA-s, Jules Rimet, në vitin 1929. Kupa mbahej e ekspozuar në selinë e Konfederatës braziliane të Futbollit në Rio de Janeiro në një kabinet me xham rezistent ndaj plumbit. Më 19 dhjetor 1983, pjesa e pasme prej druri e kabinetit u ça me një levë dhe kupa u vodh. Katër persona u dënuan në mungesë për krimin. Kupa nuk është gjetur, ndërsa besohet se është shkrirë, duke u kthyer në shufra ose pllaka ari.

1986 – Mikhail Gorbaçov, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, liron nga internimi Andrei Sakharov dhe gruan e tij, Yelena Bonner. Sakharov (laureat i çmimit Nobel për paqe, 1975) ishte arrestua më 1980, pas protestave të tij publike kundër ndërhyrjes sovjetike në Afganistan në vitin 1979, dhe u dërgua në internim në Gorki (Nizhny Novgorod). Në dhjetor 1985, Parlamenti Evropian themeloi Çmimin Saharov për lirinë e mendimit, i cili jepet çdo vit për kontributin e shquar në fushën e të drejtave të njeriut. Me këtë çmim janë nderuar edhe Adem Demaçi më 1991; dhe Ibrahim Rugova më 1998.

1996 – Vdiq Marcello Vincenzo Domenico Mastroianni, aktor italian, i njohur për role në filma si La Dolce Vita, 8 ½, etj; nderuar me disa çmime ndërkombëtare nga Akademia Britanike e filmit, Festivali i Filmit në Kanë, Globi i Artë, etj. Mastroianni njihet edhe për rolin e generalit Ariosto në filmin italian Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, realizuar në Romë në vitin1 983, drejtuar nga Luciano Tovoli, me skenar bazuar në romanin me të njëjtin titull nga Ismail Kadare.