Veturat super sportive shihen rrallë në rrugë, kështu që aksidentet e tyre nuk janë të zakonshme. Por ato ndodhin dhe prova është përplasja e Ferrarit të rrallë, “Enzo”, në Holandë.

Vetura raportohet se ka përplasur një pemë pasi drejtuesi me sa duket ka humbur kontrollin në një rrugë të rrëshqitshme. Automjeti dyshohet se i përket Kroymans Automotive, një tregtar i autorizuar i Ferrarit në zonën ku ndodhi aksidenti.

Foto nga vendi i ngjarjes tregon se Ferrari mbante targa të përkohshme, në momentin kur u përplas në rrugën N221 pranë Utrechtit. Gazeta rajonale De Gooi-en Eemlander raporton se një mekanik ishte pas timonit në momentin e incidentit.

Ky shembull i rrallë i top-modelit të Ferrarit nga fillimi i shekullit është i pajisur me një motor V12 me 650 kf dhe kap vlerën e rreth 2.5 milionë euro.

Vetura dyshohet se ka goditur një pemë në anën e pasagjerit, duke shkëputur të dyja rrotat në anën e djathtë.

Vërehen edhe dëmtime të konsiderueshme në pjesën e jashtme dhe për shkak të ashpërsisë së përplasjes janë aktivizuar jastëkët e ajrit.