Për të nxjerrë pasaportë të re në Shkup, qytetarët duhet të presin pothuajse 2 muaj. Por nëse dëshironi që për dy ditë ta keni pasaportën në dorë, atëherë duhet të paguani rreth 80 euro për procedurë të përshpejtuar. Nga Ministria e Brendshme thonë se është dezinformatë se nuk ka pasaporta dhe letërnjoftime. Për TV21 thonë se vonesat vijnë për shkak se është rritur numri i qytetarëve që kërkojnë dokumente udhëtimi.

“Numri i qytetarëve në mënyrë enorme është në rritje, për shkak se gjatë periudhës paraprake nuk i kanë ripërtërirë dokumentet për shkak të krizës me Kovid, kufijtë kanë qenë të mbyllur. Me qëllim sa më të shpejtë të shërbehen qytetarët, është vazhduar orari i punës dhe është futur edhe puna gjatë fundjavës, në kuadër të së cilës mund të caktohet vazhdimi i dokumentit të udhëtimit në procedurë të shkurtër apo të përshpejtuar”, thanë nga MPB-ja.

Por mund të udhëtoni edhe me pasaportë të skaduar. Ministria e Jashtme ka njoftuar të gjitha shtetet në botë për vlefshmërinë e pasaportave të Maqedonisë me afat të skaduar. Afati i skaduar vazhdohet deri më 31 dhjetor të këtij viti. Vendimi hy në fuqi më 1 korrik, ndërsa vlen për të gjithë ata që afati i pasaportës u ka skaduar pas 21 korrikut 2020. Por, për momentin ende nuk dihet se si do zbatohet kjo gjë në pikat kufitare. Nga opozitarja Aleanca për Shqiptarët, thonë se MPB për tre ditë u dha pasaporta të falsifikuara krerëve kriminelë, ndërkaq qytetarët duhet të udhëtojnë me pasaporta të skaduara.

“Tani e disa javë Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka pasaporta për qytetarët, ndërsa gjithë botën e ka njoftuar se shtetasit tanë do të lëvizin me pasaporta të skaduara. Po bëhen 3 muaj që e njëjta ministri nuk ka as targa për veturat që regjistrohen, e për të mos mjaftuar kjo ministria nuk ka as ekzemplarë për të shtypur patenta të shoferëve”, u shpreh Shefik Duraku nga ASH-ja.

Kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE-ja, nga ku pyesin se kush mund t’i garantojë qytetarët tanë se ndonjë shtet tjetër i pranon me pasaporta të skaduara.