Zoti i marroftë të gjitha ata që e dëmtojnë vakëfin dhe ata që heshtin para grabitjeve, zhvatjeve, tëhuajësimeve të vakëfit. Këta janë shkaktarë që edhe tokën e varrezave myslimane e bëjnë pronë të serbo-malazezit. Edhe një herë – Zoti i marroftë, ashtu siç po i marron një nga një e ditë për ditë

Nga Burim Muniri

Njëri nga aktivistët më të palodhshëm të shoqërisë civile, z. Arianit Xhaferi, udhëheqës i EKO GUERRILËS, ka zbardhur një nga skandalet më të pista që është bërë kohëve të fundit në tërë atë zinxhir skandalesh që e mbërthejnë në “shtyllën e kamxhikosjes” edhe BFI-në, organet e saj. Komuna e Tetovës paska miratuar ndërrimin e planit urbanistik dhe, në Bllokun 57A, në hapësirën e ish-fabrikës së falimentuar, Shik “Jellak”, do të ndërtohen 230 mij metra katëror banesa të reja në rreth 2000 ndërtesa me vlerë prej 20 milion euro, në të cilën do të jetojnë mbi 8000 banorë. Tetovës pa gjelbërim, me rrugë të ngushta, pa parqe, pa vend-parkime, pa ujë e pa kanalizime, do t’i shtohet edhe një murë bllokues të ajrit edhe ashtu të papastër dhe një numër banorësh që do të disbalansojnë gjithçka në këtë qytet.
Mbi të gjitha, ajo që na dhemb edhe më shumë si shqiptarë dhe si myslimanë të këtij vendi, është fakti se, një pjesë e konsiderueshme e kësaj hapësire ka qenë vend i varrezave myslimane, vend ky që pas luftës së dytë botërore është nacionalizuar dhe, për më keq, nuk ka kurrfarë evidence nëse është bërë zhvarrosja dhe dislokimi i eshtrave të myslimanëve të ndjerë.
Sipas Namik Xhaferit, referent në Myftininë e Tetovës, kjo Myftini na paska ngritur procedurë për denacionalizim të këtij vakëfi të uzurpuar por që e paskan humbur lëndën me shtetin! “Ne, si BFI, kemi inicuar kërkesë për denacionalizim por e humbëm lëndën nga shteti. Unë jam shumë i ri dhe nuk mundem të vërtetoj nëse gjatë nacionalizimit të kësaj hapësire dikur përplot me varreza myslimane është bërë ekshumimi i të ndjerëve apo edhe më tej gjenden në atë vend ku parashihen të ndërtohen ndërtesa banimi”, ka nënvizuar efendi Xhaferi për portalin sdk.mk.
Është për t’u habitur se si, në të gjitha vendet që drejtohen nga kryetarë komunash që vijnë nga radhët e BDI-së, kemi skandale të këtlla për sa i përket zhvatjes, vjedhjes, uzurpimit apo tëhuajësimit të vakëfit. Shkupit, gjegjësisht Çairit, si dhe Gostivarit tani i bashkangjitet edhe Tetova!
Në të gjitha rastet, organet e BFI-së, gjegjësisht Myftinitë, kanë heshtur, sepse në të gjitha rastet janë të përfshirë në këto afera antiislame. Çka flet kjo? Si e paska humbur lëndën për denacionalizim BFI-ja! Cila ka qenë përgjigja, cila ka qenë procedura e ankimimit? Cila është e drejta e vendosjes së Mytive rreth vakëfeve në territorin e tyre, apo edhe kjo e drejtë është në kompetenca dhe e dejtë diskrecionale e Reisul Ulemasë! Në të gjitha këto afera a del i përfshirë edhe emri i ish-reisit por edhe i myftinive aktualë. Vakëfe të tëra janë lënë në duart e funksionarëve të ndryshëm të BDI-së, me përjashtim të kësaj në Teovë, që i është lënë një serbo-malazezi, por me bekimin e udhëheqësv lokalë, po ashtu kuadër i BDI-së.
Çka ka BDI-ja që kaq me ngulm sulet pas vakëfit? Pse afera të tilla nuk ka pasur më herët? Pse BFI-ja nuk përfiton asgjë nga këto afera? Apo, mjafton që zyrtarët e BFI-së me falje të tilla të pronës merren nën mbrojtje nga organet e drejtësisë të kontrolluara nga kjo Pariti. A nuk është ky korrupsion? A nuk është ky “reketim”! A do të kihen parasyshë edhe këto afera në veting që e kërkon me aq ngulm BDI-ja, apo, niset nga logjika se kush e kërkon vetingun ai edhe do ta zbatojë, së këndejmi, edhe do të “zhduken” këto matrapazllëqe.
Prandaj dhe, në të gjitha këto raste që kanë të bëjnë me zhvatjen e vakëfit, të vetmit që reagojnë janë shoqëria civile, kurse institucionet dhe organet e BFI-së heshtin si të hutuar! Nuk dinë gjë apo aktrojnë? Megjithatë, Zotin nuk do të mund ta mashtrojnë.

Kurse, Rauf Ramadani, le të themi një qytetar intelektual, tetovar, për hirë të higjienës së gojës, duke u ruajtur nga sharjet shpërthyese drejuar zyrtarëve të BFI-së, thërret: “Respekt për Arianit Xhaferin”!
Zoti i marroftë të gjitha ata që e dëmtojnë vakëfin dhe ata që heshtin para grabitjeve, zhvatjeve, tëhuajësimeve të vakëfit. Këta janë shkaktarë që edhe tokën e varrezave myslimane e bëjnë pronë të serbo-malazezit. Edhe një herë – Zoti i marroftë!