Nga Prof. Arbër Çeliku
Sado e maskuar që mund të jetë, dukuria e mutacionit është tepër e pranishme në politikë. Politika të konsumon si asgjë tjetër në këtë botë, ajo ka një dinamizëm të paparë dhe zhvillohet me hapa marramendës. Si rrjedhojë dhe bëhet nevrastenike, përçmuese dhe degraduese.
Prandaj ndodh që shpesh, jo për fajin tonë, të ndiejmë neveri për politikanë dhe parti të caktuara politike. Dhe kjo është normale, ngaqë risia është strumbullari kryesor i veprimtarisë njerëzore.
Kur në këtë mënyrë fillon e ftillohet tendenca për ndryshim, aparati politik vihet në veprim për ta mbajtur sa më gjatë pushtetin, gjë që është legjitime si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin, por ndryshon vetëm metodologjia.
Kur kasta e vjetër politike e pikas se është bërë e padurueshme dhe bajate, fillon të krijojë mutacione. Me këtë rast, mutantët janë një specie, e cila ngjan ndryshe nga origjinarja, por që kontrollohet dhe dirigjohet nga ajo. Mutanti është mjet për të arritur deri te qëllimi.
Po t’i referohemi të shkuarës së afërt të veprimtarisë tonë politike, sidomos në dy dekadat e fundit, sa herë që partia origjinare politike ka qenë në krizë perceptimi nga opinioni publik, ka krijuar një mutant, të programuar me qëllime të caktuara: i kapur, i kufizuar në ide dhe fjala e tij e parë ka qenë sharja ndaj programuesit.
Kur edhe ky mutant është konsumuar, është krijuar një mutant me karakteristika të ngjashme, por paksa më i avancuar. Kësisoj me një gur janë vrarë dy zogj: mbijetesa politike dhe pengimi i mosardhjes në shprehje të një force të re, e cila do t’i çonte përpara proceset shoqërore dhe kombëtare.
Strategji e mirëmenduar afatgjate në kohë dhe hapësirë.
Dorën në zemër, për këtë hallall u qoftë!