Në një konferencë për media të mbajtur sot nga këshilli për organizimin e protestës së 22 Prillit u falenderuan të gjithë shqiptarët për pjesëmarrje në protestën dinjitoze “Ndal”, dhe me këtë rat u bë edhe bilansi i protestës.

Të plotë po ua bashkëngjesim tekstin e konferencës së sotme për media:

Fillimisht duam të falenderojmë të gjithë ata , të cilët të shumtë në numër i’u përgjigjën ftesës sonë për protestë.

Konsiderojmë se protesta “Ndal” e 22 prillit ishte nga më të suksesshmet në Maqedoni, të organizuata nga subjekte dhe organizata shqiptare. Kjo për disa arësye;

Së pari ne së bashku bëmë thyerjen e imazhit se në këtë shtet ekzistoka vetëm publikja maqedonase, pra partikularja maqedonase apo thënë shqip kauza maqedonase. Në këtë shtet nuk ka vetëm kauza anti establishment, por edhe veprimtari për dinjitet, drejtësi dhe barazi të plotë, çështje për partikularen shqiptare.

Së dyti, arritëm të tregojmë se, çështjet teknike, civile, siç mundohen t’i proklamojnë janë para së gjithash politike, ku shqiptarët duhet të luajnë rolin e tyre determinant.Në këtë shtet nuk ka vetëm reagim civil, por edhe çështje politike thelbësore, pra si pasojë kushtetuese dhe sistemore. Duam zgjidhje sistemore të garantuar. Nuk duam thjesht ndërrimin e individëve në krye të shtetit.

Vazhdojmë t’i qëndrojmë idesë se cilido qoftë subjekt politik që nuk i përmbahet kontratës me popullin do të përballet me zemërimin e tij, me protesta masive dhe determinante.

Protesta e 22 Prillit do të mbahet mend gjatë, për mbështetjen dhe nisjen e një drejtimi të ri për shqiptarët në Maqedoni.

E gjithë bota e qytetëruar, nën rreshtat dhe pamjet e medias europiane dhe amerikane perceptoi me zë dhe figurë se shqiptarët në Maqedoni bashke me rrëzimin e Gruevskit, Ivanovit dhe Ahmetit duan një kontratë më më madhe, një shtet binacional.