Nga Emin AZEMI

Më 24 mars 1999, Avianoja ishte bërë baza më e përfolur ushtarake e NATO-s, prej ku u nis karvani i gjatë i shpëtimit. Ulërima e bishave karpatiane me fytyrë njeriu kishte prishur gjumin e fëmijëve të Kosovës, por avionët e NATO-s po sillnin ninulla nga ajri, kurse nga toka vinte morali i pandërprerë diplomatik ndërkombëtar dhe marshi ushtarak i UÇK-së. Populli martir i Kosovës po e përjetonte mrekullinë e një kthese që po e fuste kohën në parametra të pakrahasueshëm me historitë e vuajtjeve dhe golgotave individuale e kolektive.
Por në krejt këtë rrëfim ishte një protagonist që i dha kujtesës sonë konturat e pashlyera të mbamendjes. Ai ishte Presidenti amerikan, Bill Clinton, fryma dhe fjala e të cilit ato ditë marsi kombinoheshin për të shqiptuar zëshëm apelin e njeriut që e kupton thirrjen e tjetrit kur e ka më së keqi.
Aksioni i NATO-s para 20 vjetëve e shndërroi letargjinë e mosveprimit kolektiv në kauzë sublime humane. Kosova kishte vite që po vuante përmasat shqetësuese të politikës gjenocidale të Beogradit dhe për pasojë rezultoi në një rezistencë të armatosur të shqiptarëve.

Por, ajo që atëherë konsiderohej e pamundur, sot mësohet si histori. Për herë të parë në histori u takuan në një pikë solidariteti ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA dhe disa shtete evropiane, me aspiratën liridashëse të një populli.
“Është një rrugë në të cilën duhet të shkojë bota në shekullin 21. Mësimi është i njëjtë, fuqia e shembullit tuaj mbetet e njëjtë. Duhet të jeni shumë krenarë për atë që keni arritur dhe unë i thashë presidentit dhe kryeministrit se e keni bërë punën shumë më mirë se sa kanë menduar të tjerët. Keni konsoliduar institucionet demokratike, keni nxitur shtypin e lirë dhe shoqërinë civile. Edhe shumë vende të tjera do pasojnë pavarësinë tuaj, jeni pjesë e FMN-së dhe shumë shpejt do jeni edhe pjesë e NATO-s e BE-së. E keni kërkuar sigurinë tuaj në vendin tuaj dhe keni ndërmarrë hapat e duhur”.
Këto fjalë i tha në Prishtinë Presidenti Clinton, me rastin e inaugurimit të një bulevardi me emrin e tij para disa viteve. Bill Clintoni erdhi sërish në Prishtinë për t’ua përcjellë mesazhin shqiptarëve të Kosovës se Amerika vazhdon të jetë pranë e tyre, kurse shtatorja e ngritur për nder të tij, do të jetë një simbol që ua përkujton shqiptarëve njeriun që e ndryshoi rrjedhën e historisë.
Kosova dhe gjithë shqiptarët kanë arsye të jenë përkushtues ndaj Amerikës dhe nuk është vetëm rasti i fundit kur ky shtet i fuqishëm udhëhoqi aleancën perëndimore për të shpëtuar një popull të tërë nga shfarosja dhe gjenocidi. Përkushtimi shqiptar kundrejt Amerikës është shndërruar tashmë në një doktrinë shpirtërore disadekëshe dhe “ëndrra amerikane” për shqiptarët është modeli më i kapshëm i luftës për liri e pavarësi. Mbase, jo rastësisht edhe Rilindësi ynë, Mjeda, në poemthin e tij “Liria” me mjeshtri dhe vizion kishte ditur ta skicojë tablon amerikane si një fushë ku të gjithë popujt e robëruar mund të gjejnë frymëzim për përpjekjet e tyre liridashëse.
Duhet të jemi krenarë që po jetojmë në epokën e Bill Clintonit, aq më tepër kur ishim edhe dëshmitarë të gjallë të një kohe, e cila me siguri do të ishte ndryshe, po të mos ishte Presidenti Clinton. Roli dhe konteksti i veprimit të kësaj figure të fuqishme politike ndërkombëtare, duhet të shërbejë si udhërrëfyes për moralin e politikanëve të cilët në momente të caktuara duhet të nxjerrin vendime largpamëse. Largpamësia e Bill Clintonit pati dy efekte në politikën ndërkombëtare: e tregoi në dritë të vërtetë drejtësinë e politikës së jashtme amerikane dhe e arsyetoi në praktikë besueshmërinë e një populli kundrejt një shteti, i cili në vazhdimësi i mban premtimet dhe fjalën e dhënë nuk e shkel me asnjë çmim.

Burrat që e krijuan Amerikën, dinë si ta bëjnë atë edhe joshëse për të tjerët. Bill Clinton është një nga ata që Amerikën na e sjell më afër zemrave tona. Ai është heroi që na bën të turpërohemi nga vetëbegenisja. (koha.mk)