Krahas fshatrave, ushtarët dhe policët serbë gjatë luftës në Kosovë, kanë masakruar shumë shqiptarë civil edhe në qytete. Njëra nga këto masakra është edhe ajo e kryer në Vushtrri më 22 maj 1999.

– Advertisements –

Gjatë kësaj dite (22 maj), qytetarët e Vushtrrisë, kanë përjetuar tmerr të rënd nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit dhe njësitë e Arkanit. Në këtë ditë, shumicën e qytetarëve i kanë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, dhe i kanë detyruar të grumbullohen te vendi i njohur “Te varrezat” në qytetin e Vushtrrisë.

Familjet në ish rrugën “Abdullah Shabani”, tani rruga “22 Maji”, janë larguar nga shtëpitë e tyre. Mirëpo, një grup shqiptarësh prej 68 vetash, i kanë detyruar të ndalen në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Ndërsa, të tjerët e kësaj lagjeje i kanë detyruar të shkojnë te vendi i quajtur “Te varrezat” në Vushtrri.
Gjatë kësaj kohe, janë plaçkitur dhe u janë marrë para e gjësende me vlerë, si ari etj. “Te varrezat”, të grumbulluarit i kanë ndarë në tri grupe: Gratë me fëmijë deri në moshën 15 vjet, Të moshës së re dhe mesatare dhe Të moshuarit.

Disa nga të grumbulluarit, rreth 1000 veta, i dërguan në sallën e sportit, ku i kanë torturuar në forma të ndryshme, dhe pastaj, disa i kanë dërguar në burgun e Smrekonicës (fshat në veri të Vushtrrisë) dhe disa të tjerë për në Shqipëri.

Nga gjithë kjo katrahurë e dhimbshme, më së rëndi dhe më së keqi kanë pësuar 68 shqiptarët që kishin mbetur në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Pengmarrësit shqiptarë janë torturuar në forma çnjerëzore, pastaj janë ekzekutuar të gjithë, shumica me një plumb në kokë – në ballë. Në mesin e të ekzekutuarve kishte femra dhe fëmijë të moshës 15 vjeçare, si dhe pleq e plaka.

Pas ekzekutimit, kufomat janë bartur me një kamion dhe janë dërguar në Serbi, përkatësisht në Batajnicë, me qëllim që të humbin gjurmët e krimit.

Dëshmitarët që kanë shkuar në shtëpinë ku është kryer krimi, kuptohet pasi janë larguar forcat pushtuese serbe dhe kufomat e të ekzekutuarve shqiptarë, tregojnë se kishte shumë gjurmë të gjakut nëpër mure, në dysheme dhe vende të tjera të shtëpisë së krimit.

Pas luftës së vitit 1999, përkatësisht deri më 2015, janë kthyer eshtrat e 67 shqiptarëve të vrarë më 22 maj 1999, dhe ka mbetur edhe një, Bukurie Shkreli, që nuk iu kanë gjetur eshtrat.