Dënimet e ashpra që parashikon legjislacioni turk për çështjet edrogës, por edhe kontrollet eashpra në kufi, duket se ua bëjnë të vështirë trafikimin e lëndëve narkotike shtetasve shqiptarë.

Të shumtë janë ata që kanë rrezikuar, duke përdorur forma nga më të ndryshmet për të fshehur drogën që trafikonin. Aktualisht në burgjet e Stambollit, ndodhen duke vuajtur dënimin 25 shtetas shqiptar. Mes tyre është edhe një vajzë 21¬vjeccare nga Përmeti, e cila është dënuar me 25 vjet burg.

Bëhet fjalë për Anxhela Zekollarin, e cila në maj të vitit të kaluar, u arrestua në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë, bashkë me të fejuarin e saj. Në trup iu gjet e fshehur një sasi prej 2.5 kg hashash, që e kishte paketuar në formën e një jeleku, të veshur poshtë rrobave, shkruan Panorama.

E megjithëse sasia mund të konsiderohet e vogël, krahasuar me rastet e tjera të trafikut ndërkombëtar të drogës, ajo sërish ka marrë dënim maksimal. Madje gjyqtarët turq, nuk i ka “zbutur” as fakti që ajo ishte shtatzënë, duke vendosur që ajo të dënohet me 25 vjet heqje lirie.

Tashmë ajo ndodhet në burg, bashkë me foshnjën e saj, që për shkak të rrethanave u detyrua ta lindë aty. Avokati shqiptar Kadri Hoxha, i cili prej shumë vitesh ushtron profesionin e tij në Stamboll, u bën apel bashkëatdhetarëve të tij që të mos rrezikojnë të trafikojnë drogë atje, pasi dënimet janë shumë të ashpra dhe askush nuk tolerohet./Albeu.com/