Nga Medai Shaholli
A do të ndryshohet kushtetuta e ryzuar e ‘dërzhavës Severna’ këtë radhë apo do të ngelim në një pako së bashku me pakicat?
Kjo është pyetja që shtrohet sot, pas kërkesës bullgare se qeveria Dhimo të vendosi bullgarët në kushtetutë si popull dhe jo si pakicë, pariçkat tona presin nismën e bllokut sllavo-maqedon për ta hapur kushtetutën.
Në të vërtet, partiçkat tona ende kanë dilema se me hapjen e kushtetutës nuk janë të sigurtë nëse bien dakord të gjithë për ta fshirë nofkën e turpit të 20%, e as nuk e kanë të qartë sesi mund të bëhet gjuha shqipe e barabartë me sllavishten, por si duket do të synojnë për një zgjidhe të mesme që nuk do t’i harbonte despotët e pushtetit në Shkup!

Sido që të ndodh partiçkat tona politike do ta nënshkruajnë përsëri kapitullimin në ndryshimet e mundshme të radhës, me arsyetimin banal që ‘në emër të stabilitetit dhe rrezikut për destabilizim të rajonit nga pasojat e luftës në Ukrainë’, ku barazimi i plot i gjuhës shqipe me sllavishten e Dhimos do të shtyhet për një herë tjetër si opsion.

Vallë nuk e kanë ditur partiçkat tona servile të pushtetit se për të nisur procesin e hapjes së kushtetutës duhen së paku 80 vota, gjë që pa gatishmërinë e bllokut sllavo-maqedon nuk mund të hapet kushtetuta!

Ato servilet dhe kukumjaçkat tona e kanë ditur shumë mirë qëkur miratuan ndryshimet e 2019, se pa akordin e palës tjetër nuk hapet dot kushtetuta sa herë që do të kërkojnë shqiptarët, por si pretekst gjetën integrimet europiane, ku u ishte premtuar se, ‘nëse nënshkruani ndryshimet kushtetuese dhe Marrëveshjen e Prespës’, do të hapen shumë shpejt negociatat me BE-në, rast që nuk duhej huqur.
Ndaj partiçkat tona mbyllën sytë para një oferte propagandistike dhe sakrifikuan identitetin kombëtar me nofkën e 20% të mbetej në kushtetutë e ngulitur si gur varri për shqiptarët.
Por kaluan vite dhe negociatat nuk u hapën qoftë nga nga bllokimi i vetos bullgare apo për shkak të ndonjë arsyetimi tjetër të panjohur, bëri që ‘Severna’ të ngel duke pritur ‘me sytë nga qielli’ hapjen e negociatave që nuk u bënë kurrë realitet.

Në këtë rast bullgarët ua bëjnë me dije partiçkave dhe kaqolëve tanë liderë sesi mbrohen interesat kombëtare që nga Sofja e jo më nga Shkupi si shqiptarët, që janë brenda qeverisë së koalicionit dhe nuk guxojnë ta hapin gojën për barazinë dhe statusin e nëpërkëmbur të shqiptarëve me nofkën e turpit të 20%!

Megjithë gatishmërinë e palës tjetër, koha si dëshmitare na ka treguar se me këto partiçka shqiptare nuk do të ketë status të barabartë të shqiptarëve dhe gjuhë shqipe të barabartë me sllavishten, sepse ato janë të kapura dhe nuk veprojnë kundër interesave të tyre, por ata e mbajnë besën ndaj pushtetit se nuk do të kërkojnë barazi të plotë për shqiptarët duke u kënaqur me ato që kanë.
Ato do të pranojnë të nënshkruajnë një amandament ku do thuhet pak a shumë kështu …’avancim i përdorimit të gjuhës shqipe dhe i statusit special’ …por jo barazi e plotë.
Supremacinë e mbajtjes dhe ruajtjes së pushtetit dhe të shtetit blloku sllavo-maqedon do ta ruaj edhe më tej veten e tyre përderisa nuk do kemi një subjekt politik shqiptar serioz që do ta kushtëzonte hyrjen në qeveri të koalicionit me barazinë e plotë.
Deri atëherë… shqiptarët do të trajtohen si ‘pakicë e cilësuar me status të avacuar’ por jo të barabartë!

Medai Shaholli