28 Nëntori është festa më e lavdishme dhe më e shenjtë, festë që përmban gjithë kuptimin e historisë kombëtare dhe identitetin e popullit shqiptar, shkruan Gazeta Metro.

Me 28 nëntor populli shqiptar ka shumë festa. Në këtë ditë festohet ‘Dita e Flamurit’, dalja në skenë për herë të parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ditëlindja e komandantit legjendar të UÇK’së, Adem Jashari.

Por me këtë datë, ka edhe gjëra të rëndësishme që i kanë prirë historisë dhe po të mos ndodhnin ato, sot shqiptarët nuk do të mund të festonin lirshëm lirinë dhe pavarësinë.
Më poshtë Gazeta Metro ju sjell 6 fakte rreth 28 nëntorit:

1. Me 28 nëntor të vitit 1443, heroi kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj.

2. Me 28 nëntor 1912, Shqipëria u vetë shpall e pavarur në Vlorë nga Ismail Qemali. Po këtë ditë u qëndis edhe flamuri Kombëtar Shqiptar nga Marigo Pisio apo siç njihet me emrin Marigona.

3. Me 28 nëntor 1955, në Prekaz të Skenderajt lindi komandanti legjendar i UÇK’së, Adem Jashari.

4. Me 28 nëntor 1969 për herë të parë në Kosovë u lejua përdorimi i simbolit kombëtar, pra flamurit kuq e zi.
5. Me 28 nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë në skenë. Ajo që bëri që UÇK’ja të bëjë publike aktivitetet, ishte vrasja e mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, dy ditë më parë nga forcat serbe. Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK’së.

6. Me 28 nëntor 2001, në Prishtinë u ngrit përmendorja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Përmendore që sot qëndron para objektit të Qeverisë së Kosovës dhe vendi ku qëndron ai, quhet sheshi ‘Skënderbeu’.