Pa datë për zgjedhje lokale, dhe pa kompetenca të kryetarëve të komunave, pas tre ditësh komunat rrezikojnë bllokimin total. Në pikëpyetje është vënë puna e ndërmarrjeve publike komunale, e shkollave, çerdheve, qendrave ditore për kujdes social dhe një sërë institucionesh tjera në kompetencë të komunave gjithandej Maqedonisë.

Është vënë në pikëpyetje rroga e afro 5 mijë administratorëve lokal, rroga e rreth 10 mijë të punësuarve në ndërmarrjet lokale publike dhe rreth 30 mijë të punësuarve në arsimin fillor, të mesëm dhe në çerdhe.

Mund të mbetemi edhe pa transport publik, pa ujë, pa shërbime komunale për grumbullimin e mbeturinave, por edhe ekipet zjarrëfikëse do të bllokohen si pasojë e mandatit të skaduar.

Nuk do të mund të funksionojnë as institucionet kulturore dhe, mund të duket qesharake por pas 15 majit, nuk do të mund të lidhni kurorë me partnerin tuaj, pasi dëshmitarët zyrtarë të çifteve janë përfaqësues të këshillave komunal të cilëve u ka skaduar mandati që në prill.

Pa rroga do të ngelin edhe personat e punësuar përkohësisht në komunë pasi nuk do të mund të marrin kompensimin e tyre. Edhe rastet sociale do të ngelin pa subvencione për harxhimet komunale.

Do të bllokohen edhe shërbimet për qytetarët pasi nuk do të mund të lëshohen leje për ndërtim, vendime për legalizim të ndërtimeve pa leje e të tjerë.

Nuk do të ketë kush ti nënshkruaj aktet e shtabeve komunale për mbrojtje dhe shpëtim në rast se paraqitet nevoja për aktivitete të tilla.

Kuvendi është organi i vetëm i cili mund të zgjasë mandatin e kryetarëve të komunave dhe ende nuk ka sinjale për thirrjen e tij dhe votimin e ndryshimeve ligjore. Ditë më parë Bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale apeloi deri tek Kuvendi që sa më shpejtë të sjellë ndryshimet pasi rrezikon fatin e mijëra njerëzve.

Pardje gjykata Kushtetuese u deklarua jokompetente për këtë çështje me arsyetimin se ata mund të shfuqizojnë nene kontestuese të ndonjë ligji, e jo të modifikojnë ose shtojnë akte ligjore shtesë. Kryetari i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski nuk deshi të komentojë rrezikun e bllokimit të komunave me arsyetimin se qëndrimi i tij dhe përfaqësuesve të tjerë komunal është shprehur ditë më parë. /SHENJA/