8 Marsi Dita ndërkombëtare e gruas

Dita ndërkombëtare e gruas – 8 Marsi sot do të shënohet edhe në Maqedoni. Janë organizuar një sërë manifestimesh dhe tribunash kushtuar gruas, ndërsa zakonisht në këtë ditë u dhurohen lule dhe dhurata.

Me rastin e festës, Platforma për barazi gjinore do të organizojë Marsh për të drejtat e njeriut, i cili do të fillojë në mesditë nga sheshi Kryengritja e Karposhit, do të vazhdojë përmes Urës së Gurit dhe sheshit “Maqedonia” dhe do të përfundojë në parkun “Gruaja luftëtare”.

Këshilli nacional për barazi gjinore në bashkëpunim me Shoqatën e personave me invaliditet trupor Mobiliteti Shkup, Shtëpinë e pleqve “Nënë Tereza” nga Zllokuqani dhe organizatën “Zur Artikraft” organizon ekspozitë dhe bazar të punimeve të dorës.

Të dhënat statistikore flasin se në Maqedoni nga numri i përgjithshëm i popullatës, 49,9 për qind janë gra dhe se ato jetojnë 3,9 vjet më gjatë se burrat.

Lidhur me burrat më i madh është numri i grave të diplomuara, gjegjësisht 57,1 për qind, si dhe numri i grave magjistre 58,6 për qind. Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, në vitin 2015 ka pasur edhe 143 gra doktor shkencash.

Gjithsej janë punësuar 282.078 gra, 76,3 prej së cilave janë punësuar në kompani me pronësi private. Mbi 95 për qind e grave janë punësuar me orar të plotë.

Dita ndërkombëtare e gruas është dita kur shënohet lufta e gruas për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat. Dita e parë e gruas është shënuar më 28 shkurt të vitit 1909 në SHBA me nismën e Partisë Socialiste të Amerikës. Në vitin 1910 në Kopenhagë është mbajtur Konferenca e parë ndërkombëtare e grave dhe në të është vendosur që të shënohet Dita ndërkombëtare e gruas, por pa u caktuar data e saktë. Vitin e ardhshëm, më 19 mars të vitit 1911 kjo festë për herë të parë është shënuar nga mbi një milionë njerëz në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër.

SHPËRNDAJE