536 – Nën urdhërat e perandorit Justinian për të rimarrë Italinë, gjenerali bizantin Belisarius hyn në Romë pa hasur kundërshtim; trupat gote ikin nga kryeqyteti. Flavius Belisarius (505-565) ishte i rëndësishëm në projektin ambicioz të Justinianit për ripushtimin e territorit të Mesdheut që Perandoria Romake e kishte humbur më pak se një shekull më parë.
 
Belisarius, ashtu si Justiniani, rridhte nga familje ilire. Që në moshë të re ai u bë ushtar, dhe Justiniani e mori pranë si truproje. Një nga karakteristikat përcaktuese të karrierës së Belisarius ishte suksesi, pavarësisht niveleve të ndryshme të mbështetjes nga Justiniani.

Por sipas një historie që kishte fituar popullaritet gjatë Mesjetës, vitet e fundit të jetës së Belisarius nuk ishin aq të mira. Tregohet se Justiniani i pakënaqur nga Belisarius, i cili nuk kishte mundur të parandalonte një rebelim, urdhëroi verbimin e tij, duke e shndërruar gjeneralin besnik në lypës të pastrehë nëpër rrugët e Romës. Shumë historianë thonë se kjo është histori e sajuar për të treguar sesa mizorë ishin perandorët e asaj kohe.

Por biografi i tij kryesor, filologu britanik i shekullit XIX, Philip Stanhope, thotë se ngjarja është e vërtetë. Një bust i Belisarius nga skulptori francez Jean-Baptiste Stouf ndodhet në Muzeun J. Paul Getty, Los Anxheles, dhe e paraqet ish-gjeneralin si një lloj shenjtori laik, duke ndarë vuajtjet me të varfërit.

Ndërsa piktura më e famshme nga Francois-Andre Vincent (shek. 18), e tregon Belisarius të verbër duke lypur dhe ushtarin që jep lëmoshë, i cili befasohet kur njeh ish-gjeneralin e tij në gjendje të mjerueshme; piktori kombinon bamirësinë me padrejtësinë dhe ndryshimin e papritur të ushtarit kur njeh komandantin e tij të vjetër.

1425 – Papa Martin V themelon Universitetin Katolik në Leuven të Holandës – universiteti katolik më i vjetër në botë, në ekzistencë.

1775 – Lufta Revolucionare Amerikane: Trupat britanike humbin betejën e Urës së Madhe, dhe pas kësaj tërhiqen nga Virginia, që kishte qenë kolonia e pare britanike në Amerikë.

1897 – Aktivistja Marguerite Durand themelon gazetën feministe, La Fronde, në Paris. Një vit më pare ajo ishte dërguar nga gazeta Le Figaro, gazetë kryesore e përditshme, për të shkruar një artikull me humor nga Kongresi ndërkombëtar i grave. Nga ky zhvillim, Durand u kthye thellësisht e ndryshuar, dhe themeloi të përditshmen feministe La Fronde. Marguerite Durand, e pushtuar nga pasioni për barazinë e grave, ishte një grua tërheqëse; ajo u bë famëshme për shetitjet e saj në rrugët e Parisit me një luan të zbutur me emrin “Tigër”. Historianët thonë se aktivizmi i saj lartësoi profilin e feminizmit në Francë dhe Evropë në një nivel respekti të paparë. Durand, kishte edhe një koleksion të pasur letrash që ia duroi qeverisë franceze në vitin 1931. Një vit më pas, 1932, biblioteka Marguerite Durand u hap në Paris dhe mbetet edhe sot një nga burimet më të mira në botë për hulumtime në fushën e feminizmit dhe historinë e lëvizjes së grave.

1946 – Në Nuremberg, fillon gjykim i mjekëve nazistë nën akuzat se ishin përfshirë në eksperimente me njerëz dhe në vrasje masive nën maskën e eutanazisë.

1950 – Lufta e Ftohtë: Amerikani Harry Gold dënohet me 30 vjet burg për ndihmën në dhënien e informacionit mbi Projektin Manhattan Bashkimit Sovjetik. Dëshmia e tij çoi në kapjen e Julius dhe Ethel Rosenberg, të cilët u dënuan me vdekje.

1953 – Ethet e kuqe: Firma amerikane General Electric njofton se të gjithë punonjësit komunistë do të pushohen nga puna.

1965 – Incident me disk fluturues në Kecksburg: Dëshmitarët dhe media raportojnë se një rreth i zjarrtë i parë në qiell nga Michigani në Pennsylvani u përplas në pyll pranë qytetit Pittsburgh. Në dhjetor 2005, pak para 40 vjetorit të ngjarjes, NASA shpalli se kishte shqyrtuar fragmentet metalike të këtij disku dhe doli se objekti ishte një satelitit rus që kishte ri-hyrë në atmosferën e tokës, por shtoi se për fat të keq, dokumentet mbështetëse të këtyre përfundimeve kishin humbur.

2008 – Guvernatori i shtetit Illinois, Rod Blagojeviç, arrestohet nga FBI-ja për krime korruptive, përfshi përpjekjen për të shitur vendin e senatit të SHBA-së, që kishte mbetur bosh nga zgjedhja e senatorit Barak Obama në postin e presidentit./t.o