Takimi i sotëm koordinues me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin nuk ka zgjatur më shumë se dhjetë minuta, ndërsa arsye për këtë sipas koordinatorit të grupit të deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës Skender Rexhepit ka qenë ajo që shumica parlamentare nuk ka pasur gatishmëri të gjendet zgjidhje e përbashkët për dalje nga gjendja e krijuar me bllokimin e Kuvendit.

“Personalisht u propozova të dy koordinatorëve të shumicës të zhbllokohet Kuvendi me atë që do të gjejmë zgjidhje për Propozim-ligjin për shtetësi. Propozimi im ishte dhe do ta them tash qartë, sepse në deklaratat e mediave të gjithë përfaqësuesit e pushtetit dhe të shumicës thonin se ata kanë propozim-ligj për shtetësi dhe do ta parashtrojnë versionin e tyre, unë propozova ta sjellin atë version dhe së bashku të ulemi t’i diskutojmë të dyja verisionet, të dalim me një propozim-ligj I cili do të jetë në shërbim të atyre qytetarëve të cilët kanë nevojë për shtetësi”, deklaroi Rexhepi

Sipas deklaratave të tij, nga ata aspak nuk ka përgjigje dhe për këtë publikisht u bën thirrje pushtetit dhe grupeve të deputetëve të shumicës ta sjellin propozim-ligjin për të cilin thonin se e kanë dhe ta diskutojnë së bashku..

“Nuk është me rëndësi kush do ta parashtrojë pastaj në Kuvend. Është me rëndësi të dëshmojmë se Kuvendi mund t’i dëgjojë edhe kërkesat e opozitës dhe të dëshmohet se në të vërtetë mund të në shërbim të qytetarëve”, tha Rexhepi.

Koordinatori i grupit të deputetëve të AA dhe Alternativës kërkoi nga pushteti të ndalojë me ndarjen e emocioneve për nevojë politike ditore për atë sa kanë qenë të rëndësishme këto ligje për qytetarët”.

“Po, është e vërtetë se për qytetarët është shumë me rëndësi që ndihma rreth ngjarjeve të pandemisë, megjithatë pushteti e di shumë mirë se ka një kategori të qytetarëve të cilët aspak nuk marrin kurrfarë ndihme. Ne si opozitë shqiptare e marrim këtë përgjegjësi se do t’i bllokojmë të gjitha ato ligje derisa nuk del ligji për shtetësi. Kemi kontaktuar me mjaft njerëz të cilët janë nga fella e biznesit plotësisht na japin mbështetje edhe pse janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe gjendje sociale. Ata thonë shkurt mund ta zgjasin edhe një muaj pa paga, por për këtë duan të japin kontribut për qytetarët të cilët që aspak nuk kanë shtetësi, t’u mundësohet ndihmë konkrete”, tha Rexhepi