Qyteti i Tetovës, i njohur si qyteti i dy universiteteve në gjuhën shqipe për një periudhë të gjatë kohore ka qenë në fokus të skandaleve të ndryshme, por periudhën e fundit ata janë bërë më të shumta. Këto skandale që ndërlidhen me punën e udhëheqësisë së Komunës, kanë katandisur qytetin në një objekt batutash në rrjetet sociale, falë punimeve sa skandaloze aq edhe qesharake.

Së fundmi, Komuna e Tetovës shënoi korsitë për biçikleta në rrugët e qytetit, por si nga cilësia ashtu dhe nga mënyra e shënimit, në shumë zona janë hasur situata që janë shndërruar në batuta nëpër rrjetet sociale. Përveç ngjyrës së dobët, këto korsi në shumë raste kalojnë edhe nëpër pengesat e trotuareve dhe pllakave të begatonit, ndërsa në një lokacion vërehet edhe një pengesë e ngritur dhe e shënuar me ngjyrën e njëjtë të korsisë. Pas publikimit të këtyre fotografive, qytetarë të shumtë kanë filluar që përmes foto montazhave të bëjnë edhe satire me këto punime.

Nga Komuna e Tetovës, kanë thënë për televizionin Shenja se projekti ende nuk ka përfunduar dhe se skajoret për të cilat është bërë bujë në internet janë sanuar.

Komuna e Tetovës

“Projekti ende nuk është përfunduar, është në procedurë e sipër sinjalizimi horizontal. Në vendet ku janë problemet si kontejnerët për mbetje, skajoret, në dy apo tre vende që u bë bujë në internet ato veçmë janë sanuar, duhet të vihen edhe mbrojtëset plastike që këto shtigje të jenë gjithnjë të lira. Shtegu për biçikleta është paraparë të jetë me një gjatësi prej 2.5 kilometrave në të dyja anët e bulevardit të Ilindenit”

Para korsive të biçikletave, Tetovën e tronditi dhe një rast tjetër që ngjashëm filloi të alarmohet me batuta, por përfundoi seriozisht. Rruga e Banjës së Tetovës u mbulua nga dheu si pasojë e rëshqitjes së dheut anësor. Më pas u publikua dhe një video në të cilën shihej një eskavator i cili rrënon dheun drejt rrugës, veprim ky që u vlerësua si i rrezikshëm për kalimtarët e rastit dhe automjetet të cilat ishin bllokuar në këtë rrugë. Për këtë rast, Komuna e Tetovës u prononcua duke thënë se rrënimi ka qenë i planifikuar për të evituar rreziqet.

Komuna e Tetovës

“Informojmë qytetarët se shembja e dheut në rrugën e Banjës së Tetovës është si pasojë e aktiviteteve të planifikuara punuese që kanë të bëjnë me rekonstruimin e pjertësive në disa pika kritike ku kemi rrëshqitje të dheut! Për këtë qëllim komuna e Tetovës tanimë 2 javë ka angazhuar maqineri dhe ekipe punuese të cilat për më shumë se dy javë janë duke punuar për mënjanimin e pjerrtësive në pjesën sipër rrugës së Banjës, me qëllim zgjidhjen afatgjate të këtij problemi”

Këto ditë, qytetarët e Tetovës kanë reaguar edhe për një rast tjetër që poashtu tangon menaxhmentin e pushtetit lokal. Sipas të dhënave zyrtare, avokati zyrtar i Komunës së Tetovës për tre muaj është paguar 15 mijë euro. Ndërkohë Tetova vazhdon të ketë mungesë të ujit për pije dhe restrikcione të përditshme, ndërsa si arsye më së shumti janë paraqitur dëmtimi I gypit kryesor si dhe rrjeti i vjetruar i qytetit. Përveç problemeve të lartëpërmendura, qytetarët e Tetovës vazhdojnë edhe më tej të përballen me qentë endacak të cilët jo rrallë here kanë qenë edhe agresiv duke lënduar shumë kalimtarë të rastit.