Tre trofe në dy sezone. Kampion në vitin 2017 dhe kampion e fitues i Kupës në vitin 2018. Dominim absolut i futbollit vendor me një rekord të frikshëm 35 pikë para konkurentit për titull, Vardarit. Kjo është periudha e Visar Bexhetit në drejtimin e Shkëndijës e shkruar përmes numrave.

Pikërisht Bexheti ditëve të fundit në opinion e media përmendet si opsion për t’iu besuar drejtimi i Shkëndijës.

Skuadra tetovare gjendet në krizë organizative dhe të rezultateve, dhe sipas informacioneve të pakonfirmuara kthimi në dominimin e skenës vendore e rezultatet edhe në skenën ndërkombëtare do t’i besohen atij që drejtoi klubin në periudhën më të suksesshme.

Rënia e Shkëndijës u shfrytëzua nga Shkupi e Struga që fituan titullin kampion, por nëse Shkëndija kthen rendimentin e të kaluarës, tetovarët sërish do ishin ekipi numër një në vend.
Nga ky këndvështrim, rikthimi eventual i Visar Bexhetit në krye të klubit, do të ishte “problem” për rivalët për titull.

Mbetet të shihet nëse do të ketë arsye për “brenga” te Shkupi, Struga dhe ekipet tjera, sepse te Shkëndija përflitet të kthehet presidenti që drejtoi një klub në dominimin më të madh në histori, duke lënë konkurentin për titull 35 pikë mbrapa.