Kriza e shkaktuar nga COVID-19 ka rritur çmimin e grurit, i cili më parë varionte nga 11 deri në 13 denarë për kilogram, ndërsa tani është mes 14 dhe 15 denarë me tendencë për të vazhduar të rritet. Por kjo nuk po ndodh vetëm tek ne, por është trend kudo në botë.
A do të hamë bukë më të shtrenjtë? A do të blejmë ushqim më të shtrenjtë? Këto pyetje imponohen sepse edhe pas 10 muajsh asgjë nuk është e sigurt – deri kur do të zgjasë rreth pandemisë dhe sa “shkatërruese” do të ndikojë mbi ekonominë.
Mullisët thonë se deri më tani nuk ka pasur rritje të çmimeve të bukës dhe pastave, por si do të jetë më tej, nëse do të ketë ndonjë ndryshim, nuk mund të thuhet me siguri.
“Duke pasur parasysh që në përgjithësi e gjithë situata me COVID-in është e pasigurt, asgjë nuk përjashtohet, gjithçka është e mundur, madje edhe ndryshim i çmimeve. Kjo do të varet shumë nga çmimet e importit, ofertat, thotë për MIA-n, kryetari i Shoqatës së Industrisë së mullinjve dhe furrave të bukës në Odën Ekonomike të Maqedonisë, Goran Malishiq.
Sipas tij, rritja e çmimit të grurit po vazhdon prej disa muajsh sepse kërkesa për shkak të krizës së koronës është rritur.
“Vendet në të gjithë botën kanë filluar të rrisin rezervat e tyre të grurit, ndërsa Rusia ka vendosur taksë mbi eksportin e grurit. Të gjithë kanë frikë nëse do të kenë ushqim të mjaftueshëm. Çmimi është i qëndrueshëm tani për tani. Nëse tani importojmë nga Serbia, gruri kushton rreth 13.5 denarë për kilogram, me shpenzimet e përgjithshme. Dy muaj më parë ishte 12 denarë, pastaj u rrit në 14.5 denarë kur ishte në të vërtetë piku, ndërsa tani është zvogëluar përsëri për një denar”, thotë Malishiq.
Në treg, shtoi se nuk ka rritje sepse serbët kanë një prodhim të tepërt, për këtë arsye ata e mbajnë çmimin e miellit të pandryshuar si në kohën e korrjes. Nga ana tjetër, drithi i brendshëm, i cili ishte midis 10.5 – 11 denarë në korrje, arriti maksimumin prej 12.5 denarë. Në atë kohë importohej nga Serbia për maksimum 12 denarë, ndërsa çmimi i miellit (i zakonshëm, tip 500) ishte 15.5 – 16 denarë
“Gjatë gjithë kohës derisa çmimi i grurit po rritet në botë dhe në Serbi, serbët po na shesin miellin për 14 denarë sa kushton gruri në vendin tonë, normalisht me cilësi të deklaruar në mënyrë joadekuate. Ata praktikisht e mbajnë çmimin poshtë dhe kjo është arsyeja pse fabrikat tona funksionojnë me vetëm 20 për qind ose më pak”, shpjegon Malishiq.
Sipas kryetarit të Odës së Agro-biznesit pranë Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE), Ognen Orovçanec, në bursat botërore, çmimi i një ton gruri shënon rritje dhe sillet midis 190 dhe 210 euro. Rritje shënon edhe çmimi i miellit të bagëtive.
Orovçanec beson se rritja e çmimit të produkteve themelore bujqësore sigurisht që do të shkaktojë një rritje të çmimeve të produkteve të përpunuara.
“Zakonisht, çmimi i grurit në këtë periudhë të vitit ishte rreth 140 euro për një ton. Në bursat botërore, çmimi i një ton gruri në këtë kohë të vitit zakonisht varionte rreth 140 euro për një ton dhe tani sillet midis 190 dhe 210 euro për ton. Rritje shënon edhe çmimi i miellit të bagëtive. Rritja e çmimit të produkteve themelore bujqësore, përkatësisht prodhimi primar sigurisht që do të shkaktojë rritje të çmimeve të produkteve të përpunuara. Paradoksi është se çmimi i lëndëve të para rritet në kushtet e konsumit të reduktuar. Shkurtimet e pagave dhe pushimet nga puna ulin fuqinë blerëse të qytetarëve. Konsumi gjithashtu zvogëlohet sepse sektori i hotelierisë operon në një mënyrë të reduktuar. Në mënyrë që të përmirësohet situata, duhet të merren masa për të stimuluar shpenzimet publike. Oda e Agro-biznesit gjithashtu bën thirrje që të paguhen më shpejt, subvencionet për bujqësinë”, deklaron Orovçanec.
Këshilltari për bujqësi në Odën Ekonomike, Vasko Ristovski tha për MIA-n se ndryshimet në çmimet e ushqimeve si rezultat i COVID-19 nuk priten. Ndryshimet janë të mundshme vetëm si rezultat i zhvillimeve të tregut, kryesisht në vendet e CEFTA-s dhe BE-së.