Partitë e reja dhe ato më të vogla opozitare sërish kanë propozuar nisma për unifikimin e tyre përmes një koalicioni të përbashkët për zgjedhjet e 11 dhjetorit.  Ftesa e fundit ishte dje nga Lëvizja BESA dhe RDK, ndërsa  javën e kaluar një nismë ndërmori edhe Shoqata e të Burgosurve Shqiptarë, duke ftuar për bashkëpunim të gjitha partitë opozitare.

Analistët politik theksojnë se bashkimi opozitar është një shans i vetëm për ndërrimin e pushtetit. Por sipas tij, partive opozitare nuk u ka mbetur edhe shumë kohë për të ndërmarrë diç në lidhje me këtë.

“Shans e vetme është bashkimi opozitar, ose opozita shqiptare e gjitha bashkë dhe opozita maqedonase bashkë ose e tërë opozita të gjejnë gjuhë të përbashkët, interes të përbashkëta, dhe definitivisht në zgjedhje të ketë një fitore e cila do të jetë garanci që Maqedonia t’i kthehet demokracisë së vërtetë t’i kthehet rrugës integruese euroatlantike dhe këtu është shpresa e qytetarit. Por krejt kjo varet se si do veprojnë partitë opozitare dhe nuk ka mbetur shumë kohë”, u shpreh Ismet Ramadani.

Ndërsa sipas analistit Alajdin Demiri , mosbashkimi i partive të reja dhe më të vogla opozitare i konvenon vetëm partive të mëdha, pasi që siç tha, bashkimi i të rejave është kërcënim për të vjetrat.

“Sipas meje do të duhet të bashkohen ose të gjendet një rrugë e bashkëpunimit në formë të koalicionit ose ndonjë rrugë tjetër, kjo do të shpinte në rrënimin e këtij regjimi dhe kësaj diktature dhe me këtë do fillonte demokratizimi i Maqedonisë dhe dalja nga kriza”, tha Alajdin Demiri, analist.

Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe ai i RDK-së, Fadil Zendeli dje bënë një ftesë publike për dy partitë tjera opozitare LR-PDSH dhe Uniteti, për një takim të thirrur ditën e nesërme. Derisa nga Uniteti theksuan se po shqyrtohet ftesa, kryetari i LR-PDSH , Ziadin Sela sot iu përgjigj pozitivisht thirrjes së bërë javën e kaluar nga Shoqata e të Burgosurve dhe Dëmtuarve Politik Shqiptarë në Maqedoni për bashkëveprim dhe bashkërendim të opozitës jashtëparlamentare. Por nga kjo parti nuk komentuan ftesën e Kasamit dhe Zendelit./TV21