Ndërrimi i emrave të shkollave në Tetovë vazhdon të mbetet peng i mos-marrëveshjeve politike në këshillin komunal. Drejtorët e shkollave këmbëngulin se shumë herë kanë parashtruar kërkesë në Komunë dhe Në ministrinë e Arsimit, por pa epilog.

Për këtë shkak shkollat e mesme dhe fillore në Tetovë, vazhdojnë të mbajnë emra të ish sistemit komunist.

Qe prej një kohe më të largët, në këshillin e arsimtarëve kemi pasur nisma prej profesorëve për ndryshim të emrit, nismë konkrete, madje edhe zyrtarisht kemi bë kërkesë deri në Ministrinë e Arsimit për ndryshim të emrit dhe nuk kemi hasur në mirëkuptim.

Nuk kemi pas përgjigje pozitive që të mund të merret vendim i tillë”, tha Bajram Shaini, drejtor i Gjimnazit “Kiril Pejçinoviç”.

Këto gjëra janë biseduar dhe bisedohen në vazhdimësi pra kemi bisedime të atilla por me kohë do e tregojmë realitetin. Ka ide të shumta për emrin e shkollës. Shpresojmë shpejt do e realizojmë edhe kërkesën zyrtare”, pohoi Jehona Xheladini. drejtore SHM “Nikolla Shtejn”.

Edhe drejtuesit e shkollës së mesme bujqësore thotë se disa herë pa pasur nismë për ndërrimin e emrit, por asnjëherë një vendim konkret.

Mirë është si fakt historik megjithatë nuk e paraqet realitetin e shkollës nëse shohim situatën me kuadrot që mësojnë këtu. Më mirë do ishte shkolla teknike se sa bujqësore”, theksoi Nebojsha Tërpkovski. drejtor i SHM “Mosha Pijade”.

Por edhe përkundër kërkesave dhe nismave të drejtorëve të shkollave, Komuna e Tetovës vlerëson se duhet pritur klimë më të mirë politike për të ndërruar emrat.

Komuna e Tetovës ka në plan ndërrimin e emrave të shkollave, por për këtë, duhet pritur një klimë më e mirë politike dhe një kohezion më i madh mes këshilltarëve”, thonë nga komuna e Tetovës.

Derisa kjo çështje të zgjidhet nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës, dokumentet e tyre edhe më tej vazhdojnë t’i marrin me emrat Mosha Pijade, Kiril Pejçinoviç, Nikolla Shtejn, apo Gjoçe Stojçevski.