Është akoma e paqartë nëse Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do të ndryshojë emër dhe format, ashtu siç u përfol gjatë formimit të Qeverisë së Zaevit. Gjatë asaj periudhe, pushteti i ri vlerësonte se me miratimin e ligjit për gjuhët, Marrëveshja e Ohrit mund të konsiderohet plotësisht e zbatuar dhe se ky sekretariat mund të rimërohej në Sekretariat për Sistem Politik. Të pyetur për ndryshime të mundshme, nga Qeveria tani thonë se zyrtarisht nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim dhe se një temë e tillë nuk është diskutuar aspak. Alsat drejtoi pyetje edhe në kabinetin e zv.kryeministrit Hazbi Lika. Nga atje sqaruan se që pas formimit të Qeverisë, nga 7 qershori i vitit 2017, Sekretariati edhe zyrtarisht njihet si Sekretariat për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik por se nuk ka nisma për ndryshime të tjera më të mëdha. Profesori Argëtim Saliu thotë se duhet të konsiderohet edhe mundësia që ky sekretariat të shëndërrohet në Ministri për Sistem politik, por për këtë do të duhej një analizë e detajuar funksionale.

Që pas formimit të kabinetit të Zaevit, edhe në faqen elektronike të Qeverisë, ky sekretariat shënohet si Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik por funksioni i tij ka mbetur i njëjtë.