Shkruan: Daut Dauti, Londër

Gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u përdorën gazrat helmuese në fushëbetejë. Palët ndërluftuese kishin qindra armë të tilla që do të shkaktonin vdekje masive dhe kontaminin të natyrës. Të dy palët frikësoheshin që të mos e nisnin të parët këtë lloj lufte shkatërruese pasi që dihej reagimi i tjetrës. Madje edhe Hitleri, sado i çmendur që ishte, u rezistoi kërkesave të oficerëve të tij nacistë që ta përdorte këtë armë edhe në ditën e fundit të sundimit të tij.

Sot kemi një situatë tjetër, në të cilën vet udhëheqësi i një shteti (Putini) i kërcënohet botës se do të përdorë armët nukleare. Dmth ky person ka dhënë shenja se është më i rrezikshëm se Hitleri për njerëzimin. Është zor të dihet gjendja mentale e Putinit, por duhet të shpresojnë se nuk i ka kërcënimet serioze.

Tashti, mos thuani që Amerika e ka përdorur bombën atomike, armën disa here më të keqe se gazrat helmuese. E vërtetë, por Amerika e dinte se kjo punë do të përfundonte me kaq për shkak se nuk kishte kush tjetër armë të tillë për t’u kundërpërgjigjur. Tashti është ndryshe. Shumë vende kanë armë të tilla. Prandaj, duhet të shpresojmë se armët nukleare nuk do të përdoren për të njejtën arsye që nuk u përdoren gazrat helmuese gjatë Luftës së Dytë Botërore. Frika nga pasoja duhet të jetë rojtari i këtij rreziku. Por, problemi qëndron në faktin se budalla dhe i çmenduri nuk frikësohen.