Për të paktën tre vitet e fundit, ngjyrat pastel kanë përjetuar periudhën e tyre të artë duke filluar nga veshjet, tek arredimi e deri tek ngjyrat e flokëve së fundmi. Por këtë vit duket se të gjithë po çmenden për një nuancë në veçanti dhe është ngjyra blu pastel, e njohur ndryshe si “baby blue”.

Arsyeja përse këtë ngjyrë po e shohim gjithnjë e më tepër edhe në dyqanet e veshjeve janë pikërisht gratë e famshme e me stil të politikës botërore.

Sikur të mos mjafton te zonja e parë amerikane Melania Trump e cila në ditën e emërimit të presidentit Trump i la të gjithë pa fjalë e veshur me një kostum jashtëzakonisht elegant ngjyrë blu pastel nga Ralph Lauren, edhe zonja e parë franceze Brigitte Macron luajti me të njëjtin as nën mëngë.

Në emërimin e bashkëshortit të saj si president i Francës pak ditë më parë, ajo gjithashtu zgjodhi një kostum tepër elegant blu pastel nga marka Louis Vuitton. Por siç thotë redaktorja e modës Mary Alice Stephenson, për ngjarje të tilla nuk është se zonjat e para kanë shumë mundësi zgjedhjeje: “Po të veshësh të kuqe, duket sikur po thua: ‘Më shikoni mua!’: ikën e gjithë vëmendja nga burri krah teje. Po të veshësh të bardhë, dukesh sikur po bën si shenjtore dhe gjithashtu evokon dasmat. E zeza është shumë e errët dhe e trishtë e po ashtu edhe bluja e errët. E verdha nuk duket mirë tek bjondet…”

Kështu, kjo ngjyrë duket se është e preferuara e grave më me stilt të politikës botërore duke qenë se edhe Jackie Kennedy duket se e kishte ngjyrën e preferuar kur vinte puna për veshjet e eventeve të rëndësishme.

Jackie Kennedy

Princesha Diana

Michelle Obama

Kate Middleton gjithashtu ka zgjedhur blunë pastel për shumë evente të tilla dhe duket se kjo nuancë është shndërruar dalëngadalë edhe në të preferuarën e  grave të politikës shqiptare.

Kate Middleton

Klajda Gjosha

Jorida Tabaku

Majlinda Bregu

Dhe përtej çështjeve të modës dhe të etikës, këto zonja duket se i kanë kushtuar rëndësi edhe asaj që ndjell ngjyra blu pastel. Sipas ekspertëve, kjo ngjyrë asociohet me thellësinë e mendimit dhe qëndrueshmërinë si dhe simbolizon: besim, fisnikëri, urtësi, vetëbesim, inteligjencë dhe vërtetësi. Mbajini parasysh të gjitha këto për ditën që ju ose bashkëshorti juaj do t’i futeni politikës.