Do të jetë çdo herë e dëshirueshme që politikat brenda partiake por edhe shtetërore të zhvillohen prej profesionistëve të trajnuar për punën e tyre. A është i domosdoshëm një koalicion në mes LSDM-së dhe partive shqiptare (BDI, BESA, LR-PDSH) për të shpëtuar së pari shqiptarët dhe shtetin, e cila është e rrezikuar nga mafia kriminale që ka kapur pushtetin.
Sipas shumë studiuesve, themeli i negociatës për të arritur diçka në dobi të popullit dhe shtetit mbështetet në disa virtyte të veçanta diplomatike që janë: saktësia, qetësia, vendosshmëria, karakteri, durimi, modestia dhe besnikëria. Pra nëse bazohemi në këto virtyte, shpejt mund të vijmë tek një marrëveshje apo koalicioni i atyre që janë të prirë për të mirën e shtetit.
Unë mund të jem edhe gabim për thirrjen në këtë koalicion, por ju nuk mund të më qortoni sepse unë do ta kisha më të lehtë sikur këta (BDI, BESA, LR-PDSH) por me njerëz të pa-inkriminuar, të ishin në qeverisje, sepse do ti shihja se si veprojnë dhe do të gjykoja drejt. Edhe pse, është e vështirë të mendohet se përafrohen këto parti, të cilat për nga koncepti dhe rreshtimi ndryshojnë. Njëra BDI-ja me probleme të shumta, e cila për të arritur tek suksesi duhet të punon shumë në drejtimin që të bashkojë përkrahësit e Ali Ahmetit, kurse BESA dhe LR-PDSH-ja si dy parti të reja në skenën politike në Maqedoni do ti shihnim si do vepronin po të ishin në qeveri. Ka disa që ende mendojnë se gjërat nuk mund të lëvizin nga pozicionet që janë, por në botën e qytetëruar partitë shohin se cila alternativë është më e mira për vendin e jo inatet personale. Nëse mendojnë të dy partitë që janë në opozitë (BESA, LR-PDSH) për fuqinë ekonomike partiake që ka BDI-ja me paratë e vjedhura, është vështirë t`i merret pushteti duke aluduar edhe në aparatin shtetëror. Atëherë do të ishte mirë që dy partitë të mendojnë seriozisht për t’ju qasur punës, sepse koha nuk pret që edhe për një mandat të mbeten në opozitë. Koha nuk të jep mundësinë komode të flasësh dhe mos të mundesh të jesh asnjëherë faktor. Maqedonis do ti hahet edhe ashti nga grabitqarët që e kanë në dorë po qe se nuk krijohen ekipet e punës për bashkëqeverisje të ardhshme. Nuk ka patriotizëm me fjalë, por me punë. Patriotizëm bëhet kur mendon për vendin e jo për vehten, ku ulesh për interesin kombëtar dhe jo partiak.
Në dy partitë (BESA, LR-PDSH) kemi frymë të zhvilluar të kapaciteteve intelektuale për t`u tejkaluar këto probleme. Nuk është e lehtë të arrihet një koalicion i tillë, por kur mendoj se në vendin më të zhvilluar në Evropë, Gjermaninë, ka qenë e mundur të qeveriset në mes dy partive më të mëdha, pra partia me orientim të djathtë e para dhe e dyta me orientim social-demokrat, besoj dhe shpresoj që është e mundur edhe në Maqedoni të arrihet një marrëveshje mes dy subjekteve që janë të vetmet që mund të ndalin qeverisjen e keqe që është duke ndodhur në vendin tonë. Pra shpëtimi i vendit ka mbetur tek ata që thirren në popullin, vizionin dhe kombin. Zgjedhjet lokale po ofrohen, aty duhet të maten pulset e para të bashkëpunimit për të marrë sa më shumë komuna duke bashkuar forcat aty ku kandidatët e tyre janë në garë për kryetar, këtu do të mund të bëhej thyerja e parë politike e partisë në “pushtet” dhe do të frymëzonte të gjitha forcat e sinqerta për tu mobilizuar sepse atëherë kuptojnë se edhe BDI-ja është e thyeshme dhe mund të pësojë debakël në zgjedhjet që po vijnë.
Të dështuarit janë të prirë të duken së pari të pabesueshëm, të vrullshëm dhe vulgarë.
Selim Iljazi