Debatet e ditëve të fundit në lidhje me rikandidimin e mundshëm të Ziadin Selës për të tretën herë me radhë, që nga themelimi i Lëvizjes për Reforma në vitin 2014, duket se kanë ndezur gjakrat brenda Aleancës për Shqiptarët.

Janë më qindra aktivist, një pjesë e të cilëve tashmë edhe publikisht kanë kontestuar rikandidimin e mundshëm të kryetarit të tyre, pasi që sipas tyre Ziadin Sela ka konsumuar dy mandatet në krye të partisë, mandate këto që ia lejon statuti partiak.

Përndryshe, statuti aktual i Aleancës për Shqiptarët që është akoma në fuqi, respektivisht Neni 76 parasheh decidivisht që: kryetari i partisë zgjidhet me mandat 4 vjeçar me të drejtë edhe për një rizgjedhje.

Nga burime të sigurta brenda grupit që kundërshtojnë rikandidimin e Selës, mësojmë se pakënaqësia ka arritur “pikën e vlimit” dhe nëse kjo situatë më taktizimet e Selës, zgjat ashtu siç Sela din të manipulojë me strukturat, ngjashëm siç vepronte me shpallje e kandidaturave për deputet dhe kryetar komunash, pesë në dymbëdhjetë, atëherë situata mund të dal jashtë kontrollit dhe të ndodh ajo që askush nuk e dëshiron te Aleanca për Shqiptarët, të lind një Lëvizje e re për Reforma.

Për më tepër shkeljet e statutit të partisë, nga ana e kryetarit Sela, nuk janë diçka e panjohur. Ai ka bërë shkelje statutore në vazhdimësi, kurse me e fundit është shkelja që i bëhet nenit që parasheh mundësinë e kandidimit për të parin e partisë. Pra, për të gjithë ata që shprehin interes, kandidaturën e tyre duhet ta shpallin tre muaj para mbajtjes së Kongresit, thuhet në statutin partiak.

Prandaj te pjesa më e madhe e anëtarësisë, hezitimi për të shpallur një kandidaturë konsiderohet si tentativa për të prolonguar sa më gjatë shpalljen e një kandidature dhe e njëjta shihet si tentim për kontrabandim edhe të një mandati, të tretin me radhë të Ziadin Selës./fol.mk