Selim Iljazi
Në Maqedonia është diskutuar pafund në lidhje me nevojën e një reforme kapilare të sistemit tonë arsimor. Qeveritë e ndryshme, herë pas here kanë bërë përpjekje për realizimin e strategjive të ndryshme para dhe pasuniversitare, të hartuara në përputhje me zhvillimin dhe koordinimin e sistemit tonë arsimor me atë të vendeve të zhvilluara të BE-së, por nisur nga gjendja aktuale në të cilën ndodhemi, mund të nxjerrim një përfundim të qartë: nuk është arritur objektivi dhe të gjitha tentativat e bëra kanë dështuar.
Në Maqedonia cilësia e sistemit arsimor është kthyer gjithnjë e më tepër në një shqetësim madhor jo vetëm për studentët, prindërit dhe pedagogët, është e rëndësishme të theksojmë se një reformim i tillë ka nevojë për përfshirjen e të gjitha strukturave përbërëse dhe gjithashtu për zhvillimin e burimeve njerëzore në të njëjtën kohë. Në Maqedoni duhet të reformohen dhe të riorganizohen tekstet mësimore, si një nevojë parësore për të përçuar dijen tek brezat e ardhshëm.
Në Maqedoni duhet të reformohen rrënjësisht kurrikulat e sistemit parauniversitar, bazuar në nevojën e një koherence me sistemet shkollore të vendeve të zhvilluara dhe në nevojën e shprehur nga vetë zbatuesit e këtyre kurrikulave, që janë mësuesit. Shpeshherë mendimet e këtyre të fundit nuk janë marrë parasysh, pavarësisht që janë një faktor kyç në aplikimin e reformave arsimore.
Deri më tani me mësuesin në Maqedoni është luajtur sipas dëshirës dhe sipas preferencave partiake, pa nxjerrë asnjëherë në pah rolin e meritokracisë. Ata janë parë, nga ana e qeverive të ndryshme, si gurë shahu, me të cilët mund të luash dhe t’i trajtosh si të tillë. Nuk është respektuar në asnjë qasje dinjiteti dhe profesionalizmi i tyre, si përçues të dijes e qoftë dhe një herë të vetme nuk iu është dhënë vendi që meritojnë në hierarkinë e shkallës së rëndësisë që ata kanë në zhvillimin e shoqërisë. Si pasojë e këtyre veprimeve, aktualisht gjendemi në një situatë tepër kritike, nga e cila duhet shumë mund, por jo e pamundur të dilet. Duhen parë me prioritet nevojat e mësuesve dhe në mënyrë imediate të rishikohet statusi i tyre dhe më pas të rishikohen nevojat e shkollës si një e tërë, larg interesave personale të drejtuesve përkatës dhe larg politizimit famëkeq.
Organet përkatëse vendimmarrëse duhet të bëjnë të mundur hartimin e një strategjie afatgjatë në lidhje me reformimin dhe zhvillimin e arsimit në Maqedoni në të gjitha etapat. Ka ardhur koha që arsimi të shikohet me prioritetin që i takon, pasi vetëm një sistem arsimor i zhvilluar mund të prodhojë produkt cilësor dhe të bëjë të mundur shmangien e greminës drejt së cilës kemi vazhduar të ecim vitet e fundit.
Mbetet ende për t’u parë dhe studiuar, gjithsesi mbetet për t’ia lënë kohës si i vetmi faktor i paanshëm vlerësues.