Asnjëra prej partive nënshkruese të “Platformës së Përbashkët” ende nuk ka publikuar dokumentin origjinal me nënshkrimet e të gjithë liderëve të partive politike shqiptare.

Nga BDI thonë që një dokument i tillë është nënshkruar, pa precizuar se ku gjendet ky dokument. Por nga Lëvizja Besa thonë që firmat e zyrtarëve të tyre nuk janë vendosur në asnjë dokument.

Përgjigje konkrete nuk ka as nga LR PDSH. Prej atje vetëm thonë se përkrahin marrëveshjen.

“U dakorduam të gjithë subjektet politike që të koordinuar të bëjmë publike deklaratën tonë të përbashkët, duke e aprovuar mbështetjen tonë! Qëndrojmë konsekuent në qëndrimet tona dhe të palëkundur njëkohësisht”, nga LR-PDSH.

Profesori Universitar, Jeton Shasivari, marrëveshjen për “Platformën e Përbashkët” e krahasoi me atë të majit, të vitit 2007.

“Është mirë që opinioni  ti sheh si tekst, shtatë pikat me nënshkrime për këtë deklaratë të 7 janarit të tre subjekteve politike. Për shkak që unë për vete nuk e kam parë ashtu siç e kam parë Marrëveshjen e Përzhinës njëshin, me 4 nënshkrime, Marrëveshjen e Përzhinës dy, me  katër nënshkrime. Në ndërkohë ajo marrëveshja e majit nuk është e nënshkruar, ngjashëm është edhe këtu”, tha Jeton Shasivari, Profesor Universitar .

10 vite më vonë, kryeministri Gruevski thirret në marrëveshjen e majit, dhe në parimin “Fituesi me Fituesin”, edhe pse disa vite më parë, mohonte se ka nënshkruar një marrëveshje të tillë.

Analistët në Click Plus  thanë se nuk do të ishte e  mirë që “Platforma e Përbashkët” ta përjetoj fatin e Marrëveshjes së Majit të vitit 2007, e cila nuk kishte nënshkrimet e liderëve, nga e cila nuk u jetësua asgjë.

Pikërisht me këtë marrëveshje ishte e paraparë edhe zgjidhja e çështjes së gjuhës, si dhe zgjidhja e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së.

“Unë kam qenë i interesuar që pa kontratë të mos  bëhet ky koalicion, që brenda kohës të mos lindin probleme dhe konfrontime të  panevojshme, por të ketë marrëveshje në mes të palëve dhe afate kohore. Sigurisht këtë që theksova unë sa i takon gjuhës shqipe, ato ligjet për përdorimin e gjuhës shqipe. Kam lënë një hapësirë kohore, mund të ndodh para zgjedhjeve lokale, por mund të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të lokale që në parlamentin e Maqedonisë të paraqitet në legjislativ ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe zgjidhja e statusit legal të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, është shprehur Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Marrëveshje mes VMRO DPMNE dhe BDI për qeverisje të përbashkët kishte edhe në vitin 2014. Edhe pse nga BDI insistonin që njërin nga 3 postet kryesore shtetërore të drejtohet nga një shqiptare, kjo nuk ndodhi. BDI hyri në qeveri, kurse kushti i vetëm ishte anëtarësimi i shpejtë në NATO dhe BE.

VMRO DPMNE dhe BDI si fitues të zgjedhjeve të fundit parlamentare filluan bisedime të reja për formimin e qeverisë, kurse Maqedonia po pret ende ftesë për anëtarësim në NATO.

https://youtu.be/xIYDyRO8iLY