Në mbrëmje në KSHZ do të konfirmohen kandidaturat për kryetar komunash, e nëse ndonjëri prej tyre vendos të tërhiqet ka afat 48 orë.

Aleanca për shqiptarët pret që BDI ta tërheq kandidatin e saj për kryetar komune në komunën e Bërvenicës, ashtu siç bëri kjo parti në Çashkë dhe Kërçovë. Lideri i ASH-së Ziadin Sela në emisionin Click Plus tha se partia e tij ka lëshuar pe në dy komuna dhe se tani radhën e ka BDI-ja.

TV21: Si u morët vesh në Çashkë e s’po mundeni mu e marr vesh për Bërvenicës?

“Po edhe atje ne kemi lëshuar pe. Gjithandej ku është lëshuar pe jemi ne që kemi lëshuar pe.

Ja po ju them kanë kohë le t’i tërheqin, se dy kandidatë kanë nxjerrë edhe në Bërvenicë. Le ti tërheqin ato kandidatë dhe le të mos e rrezikojnë komunën e Bërvenicës se ndryshe do të mbajnë turpin”, tha Ziadin Sela – kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Edhe kryetari i Lëvizjes Besa para katër ditëve për Euro Neës Albania tha se Lëvizja Besa nuk ka kandidat në komunën e Bërvenicës që mos të rrezikohet kjo komunë.

“Rasti është i ngjashëm edhe në komunën e Bërvenicës në rajonin e Tetovës kur rrezikohet që komuna për herë të parë të menaxhohet nga një kryetar maqedonas, vetëm shkaku që të gjithë partitë politike vrapojnë që të nxjerrin kandidatin”, theksoi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

U munduam të marrim përgjigje nga Bashkimi Demokratik për Integrim se a do të ketë ndonjë marrëveshje dhe a ka gjasa ta tërheqin kandidatin e tyre, por nga atje nuk morëm përgjigje.

Ndryshe për Bërvenicën ka kandiduar kryetari aktual Enver Pajaziti si i pavarur. BDI ka kandiduar Arkin Jahijin, ndërsa Argjend Gura është kandidati nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Kandidat i LSDM-së është Mirko Stojanovski, ndërsa i VMRO DPMNE-së Jovica Ilievski.