Kryetari i organizatës joqeveritare “Bota e fëmijëve – Fillim i ri”, Suaret Nalishani, shikimin e ka 99% të dëmtuar, ndërsa aktivitetet e tij në zyrë i bën me shikim prej vetëm 1 %. Ai thotë se vota e personave të verbër mund të keqpërdoret dhe ai propozon që të bëhen fletëvotime me alfabetin e Brajit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

 

“Praktika e deritanishme ishte ata të votojnë më dikë që i shoqëron, por të them të drejtën jetojmë në një shoqëri ku mund të keqpërdoret vota e personave me shikim të dëmtuar. Ne si organizatë propozojmë që të bëhen modele, fletëvotime me alfabetin e Brajit”, u shpreh ai për Tv 21.

Nga KSHZ-ja, thonë se po përgatisin materiale edukative me alfabetin e Brajit, por shtojnë se me këtë shkrim nuk mund të përgatiten fletëvotime, sepse nuk kanë të dhëna të sakta se sa persona me shikim të dëmtuar figurojnw në regjistër. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, sqaruan se votuesit me shikim të dëmtuar votojnë me një person që i shoqëron. Në rast se i verbëri nuk është i shoqëruar nga dikush, atëherë ai ka të drejtë të kërkojë nga Këshilli Zgjedhor që dikush nga votuesit e tjerë t’i ndihmojë gjatë votimit./Telegrafi/