Një studim i botuar së fundmi duke parë 276 pacientë në Spitalin Suizhou Zengdu në Suizhou, Kinë tregoi se ata që mbanin syze për më shumë se tetë orë në ditë ishin në rrezik dukshëm më të ulët për të marrë COVID-19 sesa ata që nuk mbanin syze.

Dhe siç shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi, vetëm 16 (më pak se 6 për qind) e atyre pacientëve që studioheshin kishin syze, në krahasim me 31 për qind të popullsisë lokale që mbajnë syze.

Por, a do të thotë kjo se mbajtja e syzeve mund të na ndihmojë të mbrohemi nga coronavirusi?

Para se të gjithë të nxitojmë për tek okulisti, vlen të përmendet se ky është vetëm një studim, madhësia e mostrës ishte shumë e vogël dhe tregonte vetëm një lidhje – jo një shkak dhe efekt i drejtpërdrejtë – midis mbajtjes së syzeve dhe normave të infeksionit me COVID-19.

Andaj, për të nxjerrë ndonjë përfundim të prerë nga kjo do të ishte plotësisht e parakohshme, por ka disa gjëra që mund t’i marrim parasysh.

Sipas Revistës Mjekësore të Virologjisë, sytë mund të jenë një rrugë e rëndësishme e hyrjes në trup për coronavirusin.

Ne e dimë që virusi përhapet kryesisht përmes pikave të frymëmarrjes; kur dikush kollitet, teshtin, flet apo edhe merr frymë, pikat e vogla që përmbajnë virusin nxiten përmes ajrit në kërkim të një strehuesi tjetër, zakonisht duke hyrë nga hunda ose goja.

Por ka pasur raporte në rritje të pacientëve me coronavirus që kanë simptoma të syve të tilla si konjuktiviti (një infeksion i syrit të jashtëm).

Sytë kanë një shtresë mbrojtëse të lagësht rreth tyre e quajtur membranë mukoze. Gjithashtu, pjesët e brendshme të hundëve dhe gojëve tona kanë membrana të ngjashme që i mbështjellin ato.

Kështu që, nëse coronavirusi arrin “të gjejë vend” në njërën prej membranave tona të mukozës, ai mund të kalojë përmes saj dhe të na infektojë.

Pra, ka kuptim që sytë mund të veprojnë si një “portë” e hyrjes për coronavirusin.

Në këtë drejtim mund të thuhet se, teorikisht, mbajtja e syzeve formon një pengesë shtesë para syve tanë, duke i mbrojtur ata nga një pikë e frymëmarrjes e infektuar.

Një mënyrë tjetër që virusi mund të na infektojë është përmes duarve tona.

Andaj, njerëzit që mbajnë syze mund të jenë më pak të prirur për të prekur fytyrën e tyre dhe, më saktësisht, fërkojnë sytë e tyre dhe në këtë mënyrë të “kapin” virusin.

Sipas shkrimit në fjalë, aktualisht, nuk ka plane për të këshilluar publikun të vërë syze për t’i mbrojtur ata, dhe një studim nuk do ta ndryshojë atë.

Armët tona më efektive në luftën kundër coronavirusit – derisa të gjendet një vaksinë – janë akoma distancomi fizik, pastrimi i duarve rregullisht dhe mbajtja e një maske për fytyrë kur është e përshtatshme.