Entuziazmi i autoriteteve shëndetësore se në janar do të sjellin vaksinat e para anti kovid, u shua. Në shkurt pritet të vij kontingjenti i parë prej 5,850 dozave të kontraktuara veçmas me kompaninë Pfizer. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë të gatshëm për fillimin e vaksinimit për çka janë parapaguar për 833,000 dozat nga platforma “Covax”. Donacionet austro-polake dhe greko-bullgare u shtynë për një fazë tjetër, ndonëse premtuan që në kontingjentin e parë do të solidarizohen me vendin. Madje fqinji lindor premtimin e firmosi në letër.

Ministria e Shëndetësisë:

“Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe kolegu i tij bullgar Kostadin Angelov nënshkruan një letër me të cilën Republika e Bullgarisë obligohej që në secilën porosi të vaksinave kundër KoVid-19, e cila vet i blenë, një pjesë të tyre do ta jep donacion për vendin tonë. Në këtë letër nuk ka asnjë kusht.”

Maqedonia është ndër vendet e pakta të Ballkanit Perëndimor që ende nuk ka pranuar këtë vaksinë. Përderisa të gjitha vendet fqinje kanë marrë vaksinat, risia e janarit për vendin tonë është arritja e ilaçit Ivermektin, i cili kuron vetëm efektet e shkaktuara nga virusi korona, por jo edhe vet CoVid-19. Kritika të shumta për platformën Covax erdhën edhe nga Shqipëria, ku kryeministri Edi Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor u lanë në mëshirë të fatit. Ai dje zbuloi edhe një fakt për vendin tonë.

“Më thoni se ka filluar Maqedonia! Nuk ka filluar, për fat të keq duhet të kishte filluar por jo. Dhe nuk është faji i Maqedonisë. Më thoni ia ka dhënë Bullgaria, por jo! Ia ka thënë me fjalë se do ti japim 100 copë, nuk ia ka dhënë akoma se po t’ia kishin dhënë do t’i kishin përdorur.”-tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë .

Në pritje të vaksinës anti kovid si duket do të arrijmë imunitetin kolektiv në mënyrë të natyrshme. Sipas ekspertëve shëndetësor shifrat aktuale mbi 80 mijë të diagnostikuarve, në realitet janë dhjetë fish më të larta, prognozë e cila në praktikë është e pranuar në gjitha vendet sipas OBSH-së. Dje nga zyra e saj në Shkup, thanë se gjatë muajit shkurt Maqedonia do të merr vaksinën kundër CoVid-19.

Plani kombëtar i imunizimit parasheh që brenda 24 muajve të vaksinohen 1,2 milion shtetas tanë.