Nënshkrimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë shikohet nga këndvështrime të ndryshme nga njohësit e këtyre çështjeve.

Kështu analisti, Nijazi Muhameti, vlerëson se me këtë marrëveshje qeveria ka anashkaluar çështjen shqiptare, duke vënë fokusin në një problem inekzistent në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, duke e vënë këtë problem, madje edhe përpara problemit kryesorë e ka me Greqinë.

“Çdo legjitimitet i kësaj Marrëveshje nga ana e përfaqësuesve shqiptarë, ashtu siç e kanë nisur ta miratojnë pa e lexuar, do të ishte jolegjitim për shqiptarët, sepse këto janë gjëra serioze dhe askush s’ka të drejtë në emër të një kombi të bëjë nënshkrime për transaksione pazaresh të tyre të cilat mund të fusin konfuzion edhe në politikën e jashtme të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit”,- u shpreh analisti, Nijazi Muhameti.

Muhameti pret debat të hapur dhe gjithëpërfshirës gjatë ratifikimit të Marrëveshjes, por thotë se shqiptarët nuk kanë pse të bëhen palë mbështetëse për një marrëveshje për të cilën nuk ka konsensus brenda maqedonas, por duhen lënë dy partitë maqedonase të zgjidhin vetë problemet brenda tyre e shqiptarët duhet të fokusohen në çështjet që u tangojnë shqiptarëve.