Kryeministri Zoran Zaev në një deklaratë për MIAn, ka potencuar se respekton prezumcionin e pafajësisë, por njëherit apelon që të gjitha indicjet duhet të procesuohen deri në fund që të dëshmohet fajësia apo pafajësia e cilitdo të involvuar në hetime, përcjellë Zhurnal.
Zaev thotë se me hapjen e këtij rasti, qartë demonstrohet lufta kundër krimit të organizuar dhe korupcionit, dhe kthehet besimi në shtetin dhe qeverisjen e së drejtës.

Ai më tej shton se Prokuroria Publike duhet të tregojë nëse Janeva është keqpërdorur apo është involvuar në gjithë këtë proces. Sipas tij, ka gjasa që Janeva të jetë keqpërdorur për konstruksione politike.

“Ligji duhet të vlejë barabartë për të gjithë pa dallim për kë bëhet fjalë. Në këtë rast ka dy të dyshuar, dhe siç dëgjova nga mediat është konfiskuar dhe celulari i Prokurores Speciale Katica Janeva, që të vëretojnë nëse ka patur lidhje mes saj dhe të dyshuarit të parë. Për shkak se bëhet fjalë për person të lartë në pozitë, kjo jep motiv për çdo lloj spekulimi politik. Sipas meje, Prokuroria Publike duhet të tregojë nëse është keqpërdorur Janeva në gjithë këtë proces apo është involvuar. Kjo është korekte të tregohet, sepse keqpërdoren çdo lloj argumenti që dikush të bëjë konstruksione politike”, tha Zaev.

Ai shtoi se hapja e këtij rasti të ri është dëshmi se vendi ka sistem të organizuar që e kryen punën siç duhet.

Më tej ai bëri apel deri tek të gjithë biznesmenët nëse kanë qenë viktimë e reketit të paraqiten në PP që të mund të mblidhen të gjitha dëshmitë dhe argumentet./Zhurnal.mk