Burime qeveritare thonë se udhëheqësia e BDI-së e vlerëson si “jo të domosdoshme” dërgimin në burg të ish ministres së punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, sepse kjo nuk i shërben integrimeve euroatlantike të vendit.
Sipas tyre, në “selinë blu” mbretëron bindja se Jankullovska nuk duhet të mbahet më shumë se tre muaj në burg, ose eventualisht deri në zgjedhjet lokale.
“Integristët janë duke matur pulsin e ndërkombëtarëve për gjetjen e ndonjë forme për kthim në fuqi të amnistisë së ish presidentit Gjorge Ivanov, në të cilën veç Jankullovskës janë të përfshirë edhe figura tjera të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së dhe partive tjera. Këtë mundohen ta bëjnë përmes kuadrove të ‘pavarura’ partiake që i ka instaluar në gjyqësorë dhe prokurori”, theksojnë këto burime.
Jankullovska ishte një mga ministret më “jetëgjata” në qeverinë VMRO-BDI, që udhëhiqej nga Nikolla Gruevski.
Zgjedhjen e Jankullovskës për ministre të brendshme e kanë votuar shumë deputetë të BDI-së, duke përfshirë edhe kryetarin e saj, Ali Ahmeti, zëvendës kryeministrin aktual, Artan Grubi. Ministri aktual i jashtëm Bujar Osmani ka “shërbyer” si ministër i shëndetësisë bashkë me Jankullovskën në qeverinë e Gruevskit, kurse kolegë me të kanë qenë edhe figura të lartë të BDI-së, si Talat Xhaferi, Teuta Arifi, Musa Gjaferi, e kështu me radhë.
“Prandaj angazhimi i integristëve për lirimin sa më të shpejtë të Jankullovskës është shumë i natyrshëm shikuar nga prizmi i BDI-së, sado që duket i palogjikshëm shikuar nga prizmi shqiptar. Është edhe nostalgjia për kohën kur kanë qenë bashkë në qeveri, por edhe frika se Jankullovska, si ish funksionare e lartë, mund të ketë diçka për ta”, theksojnë këto burime qeveritare.
Edhe në VMRO-DPMNE janë të bindur se BDI dhe kryetari i saj, Ali Ahmeti, me “urtësinë, mençurinë, po edhe guximin që ka” do të gjejë mënyrë për lirim sa më të shpejtë të Jankullovskës. .
Pritet që BDI të komentojë sot ose nesër këto informacione.