Nëse me zgjedhjet e ardhëshme presidenciale që pritet të mbahen fillim vitin e ardhëshëm, mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare teoritikisht do të forconin çdo parti politike, kështu vlerëson në një prononcim për Zhurnal, analisti politik Selim Ibraimi.

“Me zgjedhjet presidenciale, organizimi i parlamentareve do tê forconte teoritikisht çdo parti. Megjithatë nuk është e qartë nëse LSDM dhe BDI do të fitojnë shumicën absolute. BDI dhe ASH janë rivalët më të mëdhenjë të skenës politike shqiptare. ASH pas marrëveshjes në disa rajone afrohet me BDI. Zgjedhjet parlamentare nuk shkojnë në favor të LSDM -ss dhe BDI-së. Mirëpo një qeveri që çdo herë varret nga numrat e partive të vogla opozitare është e paqëndrushme. Ndoshta për situatën aktule në një farë shkalle zgjedhjet janë opsioni më i keq por i domosdoshëm”, vlerëson Ibraimi.

Nga ana tjetër, analisti Ismail Arsllani thotë se rrjedhat politike në Maqedoni po hyjnë në një fazë të re, pas hapjes së ndryshimeve kushtetuese dhe ratifikimit të tyre në parlamentet e Greqisë dhe Maqedonisë, që do rezultojë me ndryshimin e emrit të vendit, me prefiks gjeografik (verior).

“Me këtë situatë të re që pritet të ndodh, kryeministri maqedonas Zaev do të dëshirojë ta përfundojë të plotë mandatin, deri në fund të vitit 2020, krejt me qëllim që t’i çojë reformat me dinamikë të shpejtuar, sidomos për hyrje në BE. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare si opsion, mendoj që bien në ujë. Kjo do të ndodhë për dy shkaqe kryesore: për dekompozin strukturor të VMRO-DPMNE-së dhe mungesës së ambicieve të BDI-së për zgjedhje të parakohshme, për shkak të pozicionimit të sigurt në pushtet si partner kryesor, që mund të rrezikohej me zgjedhjet e reja parlamentare, bie fjala, bashkë me ato presidenciale, pranverën e ardhshme”, thekson për Zhurnal, Ismail Arsllani, analist.

Sipas tij, opozita shqiptare, ndonëse e fragmentuar aktualisht, do të fillojë konsolidimin vitin e ardhshëm dhe pritet të bëjë trysni të vazhdueshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato presidenciale, sikundër që as VMRO-DPMNE-ja, edhe pse në krizë të thellë si parti, s’do të pushojë së kërkuari zgjedhje, me qëllim që ta mbajë mobil trupin votues.