Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit Avdullah Hoti se Kosova nuk ka nevojë që të shkojë në zgjedhje të reja.

Abazi ka thënë se Hotit nuk do t’i mjaftojë një ditë as dorëheqja, teksa ka shtuar se Kosovës i duhen urgjentisht zgjedhjet.

“KOTI duhet ta dijë që nuk krahasohet asgjë me fuqinë që ka gjykata e popullit. As dorëheqja nuk do të mjaftojë një ditë. Nuk ka mëshirë ndaj krimit politik e as ndaj shërbëtorëve të krimit që hiqen të pafajshëm në krimin e bërë me rrëzimin e qeverisë Kurti dhe dëshpërimit të pafund që është shkaktuar tek qytetarët në mes të pandemisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej, Abazi ka thënë se “Kosovës urgjentisht i duhen zgjedhje sepse kjo qeveri nuk e ka kumbarin, e përveç që është ilegale e pa legjitimitet është edhe jetim”.

Ndryshe, Hoti sot gjatë një konferencë për media ka pohuar se vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje dhe se qeveria është funksionale.

“Sa i përket zgjedhjeve Kosova ka qeveri plotësisht funksionale dhe kushtetuese. Dhe për aq kohë sa është një qeveri që është funksionale që mbështetjen e shumicës së deputetëve në kuvendin e Kosovës duhet të vazhdojë”, ka theksuar ai.