Abdulla Mehmeti: Orët e mëdha të historisë kalojnë shumë rrallë mbi fatet e popujve

Shkruan Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni, aktualisht i kanë kushtet dhe rrethanat ideale ta ndryshojnë gjendje dhe fatin e tyre; e kanë momentin e artë në duar për ta ndryshuar rrotën e historisë edhe përkundër faktit se kanë përjetuar vitet më të tmerrshme, fatin e trishtueshëm që t’i përfaqësojë një klasë politike e papërgjegjshme, e korruptuar dhe jo atdhetare, pa plene dhe strategji, pa projekte dhe vizion për të ardhmen.
Atë që popujt e botës nuk mund ta arrijnë me shumë sakrifica, me luftë, gjak e shkatërrime, shqiptarët e Maqedonisë e kanë fatin në duar që ta bëjnë vetëm për disa muaj, me organizim dhe rezistencë paqësore, vetëm nëse rizgjohen në këtë kthesë historike, kur aleatë të fuqishëm që vendosin për fatet e popujve dhe të shteteve janë në anën e tyre.
Këtë mund ta bëjnë shqiptarët në Maqedoni vetëm duke e larguar nga skena politike një grusht politikanësh të korruptuar dhe hajdutë, një grup oligarkësh të pangopshëm, një klan mafioz dhe një klikë armiqësore e antikombëtare që e mban peng fatin e tyre. Kjo klikë e politikanëve të dështuar, të kapur e të shitur, duhet të ndalohet, të shpërfillet, të bojkotohet, të pensionohet me procedurë të shpejtë dhe në mënyrë shumë elegante.
Secili shqiptar i ndërgjegjshëm nuk mund ta tolerojë këtë gjendje, ta nënshkruaj këtë fat me dorën e tij, për pak interesa momentale e të përkohshme, duke e ditur që njeriu jeton vetëm një herë dhe jeta nuk bëhet reprizë; fati që të buzëqesh sot, nesër mund të ju braktisë dhe të mbeteni të mjerë, pa mirëqenie, pa lumturi, pa ekzistencë dhe pa nder e dinjitet, pa liri, të humbur përgjithmonë dhe të braktirsur edhe nga miqtë!
Fati nuk u buzëqesh atyre të që nuk duan të zgjohen as për të mirën e vetvetes, në orën e madhe të historisë që kalon shumë rrallë mbi fatet e popujve.

SHPËRNDAJE