Sot, prita në takim Skender Abazin! Sigurisht se ky takim ishte shumë më ndryshe se takimet e tjera!, ka njoftuar zv/ministri i arsimit, Arbër Ademi. Ai ka dëgjuar historinë e arsimtarit dhe është fotografuar bashkë me të. Mirëpo gjykuar nga postimi i tij në facebook pas takimit, përveç vlerësimit të përgjithshëm se duhet “përmirësuar statusin e mësimdhënësve në nivel nacional”, nuk ka përmendur ndodnjë zgjidhje konkrete. Nëse mbetet me kaq, atëherë golgota e arsimtarit Abazi do të vazhdojë, sepse atij nuk i kryejn punë as fotografitë me zv/ministrin Ademi, e as postimi i tyre në facebook.
“Kur dëgjova historinë e tij dhe sfidat me të cilat ai ballafaqohet si mësimdhënës në shkollën fillore të fshatit Tanushë, sigurisht se s’ka se si të mos ndjehemi keq, dhe se të mbledhim forcat për të përmirësuar statusin e mësimdhënësve në nivel nacional!
Kemi thënë dhe po e përsërisim, kënaqësia tek mësimdhënësit gjatë kryerjes së detyrave dhe misionit të tyre është vendimtare për nxjerrjen e gjeneratave të suksesshme”, ka shkruar Ademi në facebook pas takimit.
Kush është Skender Abazi:
Skender Abazi – mësues me profesion, për çdo ditë udhëton në këmbë deri në Tanushë. Ai bën atë që rrallë kush prej mësimdhënësve do të pranonte një sfidë të tillë, edhe atë për çdo ditë pune. Skenderi për çdo ditë bën rrugë 13 kilometra për të arritur në shkollën e fshatit Tanushë te nxënësit e tij. Këtë rrugëtim ai e nis nga fshati Çerkez, ndërsa kur rrugët janë të bllokuara nga bora e kushtet e rënda, ku nuk kalojnë as veturat, “mësuesi Skender si në kohët e Migjenit udhëton në këmbë”. Ndonjëherë ndodhë që këtë rrugëtim ai ta nis nga ana e Shkupit të vazhdojë rrugën përtej kufirit deri në Viti e që nga Vitia të kthehet mbrapa për në Tanushë për të mos lënë në pritje nxënësit e tij që aq shumë e duan dhe e respektojnë.