Problem për krijimin e koalicionit VMRO-DPMNE-BDI nuk ishte ligji për gjuhët, porse problem ishte vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike.

Kështu, siç transmeton Gazeta Express, në vazhdimin e sotëm të seancës konstitutive të Kuvendit të Maqedonisë, tha deputeti i BDI-së Xhevat Ademi, duke përgënjeshtruar pohimet e deputetëve të VMRO-së se kanë refuzuar të bëjnë koalicion me BDI-në për shkak të kërkesave për dygjuhësi.

“Nuk mendoj t’i përsëris qëndrimet të cilat njëqind herë u thanë që nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti deri te zëdhënësi Bujar Osmani. Nuk ishte problem as Talat Xhaferi, as kurrgjë tjetër, porse problem në negociatat ishte vetëm mandati i PSP-së për të ngritur aktakuza”, tha Ademi.

Në seancën e djeshme ai e pyeti Antonio Milloshovskin e VMRO-së se prej kur ka filluar t’i pengojë e ashtuquajtura “Platformë e Tiranës”, e cila as që ekziston. “Ndoshta pas 29 janarit”, tha Ademi duke aluduar në ditën kur BDI-ja refuzoi ftesën e Nikolla Gruevskit për koalicion qeveritar.