Nga: George Seldes (pjesë nga libri: “Dëshmitar i një shekulli”)
Përktheu: Meri Lalaj

Pas dëbimit tim nga Italia prej Benito Mussolinit më 1925, vajta menjëherë nga Parisi në Berlin, ende me besimin se të paktën teknikisht unë isha kryetari i asaj zyre dhe jo një korrespondent endacak. Një nga përparësitë e të qenit korrespondent i Berlinit ishte se gjithnjë brenda territorit tënd përfshihej Vjena. Për fat të keq, në Austri nuk ndodhnin shumë ngjarje të mëdha të bujshme që të tërhiqnin gazetarët e prandaj duheshin justifikime për të kaluar atje disa ditë për çdo vizitë.

Sa herë që qëndroja në Vjenë, së paku për një javë, nuk e humbisja rastin për të marrë pjesë në pritjet e Dr. Alfred Adlerit, të cilin gjithnjë e pata konsideruar si një nga qeniet më të mëdha njerëzore që kam takuar. Ai priste mjekë, studentë mjekësie të huaj, kryesisht amerikanë dhe laikë të interesuar.

Në vizitën time të parë, nga fundi i vitit 1926, isha gati ta pyesja njeriun që zakonisht e quanin (por gabimisht) “babai i kompleksit të inferioritetit” rreth Mussolinit. (Dr. Adleri e urrente titullin, sepse, siç thoshte shpesh, kompleksi është një çështje serioze, një sëmundje mendore dhe njeriu që vuan prej saj ka nevojë për ndihmë psikiatrike. Pak njerëz vuajnë nga komplekset. Ndërsa atë, Dr. Adler, ishte më e përshtatshme ta quanin “babanë e shkollës së psikologjisë individuale”. Ai ndryshonte prej Sigmund Freudit në shumë drejtime thelbësore. Këmbëngulte që nxënësit e tij dhe vizitorët e përjavshëm e studiojnë ndjenjën e inferioritetit me të cilën është lindur çdo qenie njerëzore, ndërsa përpjekja gjatë tërë jetës është për të kundërtën e saj, ndjenjën e superioritetit.)

I tregova Dr. Adlerit për dëbimin tim. Gjithashtu i tregova atij se më 1919 dhe më 1920, Benito Mussolini, Lincoln Eyre dhe unë ishim takuar si shokë gazetarë, si miq të mirë e të barabartë. Dr. Adleri shfaqi interes të madh. Ai më pyeti rreth Mussolinit si punëtor i zakonshëm në Zvicër, si socialist, si udhëheqës i punëtorëve; përse Mussolini kishte tradhtuar Zyrën e Jashtme Franceze; ndryshimi që pasoi për ta kthyer në një njeri të dhunës e terrorit.

Ndonëse nuk bëri ndonjë orvatje për ta analizuar Mussolinin për një distancë të gjatë kohe, pikëpamjet e tij mbi inferioritetin dhe superioritetin, me përmendjet e rasteve të Mussolinit, ai shkroi një artikull të mrekullueshëm të cilin ia shita revistës së Nju-Jorkut, “World Sunday Magazine” (16 dhjetor, 1926) dhe, ashtu siç më tha Dr. Adler kur u ktheva në Vjenë më 1927, “ju më bëtë të njohur në Amerikë”.

Në bisedat e tij të përjavshme, Dr. Adleri gjithnjë theksonte modelin e sjelljes së të gjitha qenieve njerëzore, e vendosur kjo që në vitet e para të jetëve të tyre. Sidoqoftë, e ndiej se pikëpamjet e tij e përvijuan modelin tim, thuajse po aq shumë, sa edhe ato të babait tim në fëmijëri, që ishte partizan i vullnetarizmit, njeri origjinal, mendimtar i lirë. Nuk u bëra pacient i Dr. Adlerit.

Por, gjatë javëve dhe muajve që punova në Vjenë, nuk lashë të humbja asnjë nga pasditet e Adlerit. Mendoj se ishin të mërkurave, ku një numër i madh prej nesh jo vetëm që rrinim ulur te këmbët e mjeshtrit, por gjithashtu pinim çajin ose kafenë dhe hanim biskotat e zonjës Adler (më vonë, kur shkrova për këto pasdite dhe thashë se në korridorin e Adlerit ndodhej një enë e argjendtë në të cilën ditën e mërkurë miqtë duhej të linin atje tri shilinga, rreth pesëdhjetë e një cent, ky fakt u mohua nga familja).

Kur Fr. Adler tha në fillim se çdo burrë dhe çdo grua e ka provuar ndjenjën e inferioritetit dhe se që nga fëmijëria gjithkush përpiqet ta kapërcejë se ne të gjithë kërkojmë “barazinë e inferioritetit individual të dikujt, provat e modelit të sjelljes së dikujt, përmes marrëdhënies në shoqëri, në punë e në seks”, duke folur me gjuhë të përgjithshme në këto takime të së mërkurës, për mua ishte si zbulim e më bënte të rishikoja krejt të kaluarën time, të gjykoja e të vendosja për të ardhmen.

Veçanërisht isha i interesuar në pikëpamjen adleriane të kompensimit për ndjenjën e përgjithshme të inferioritetit. E kuptova se zgjedhja ime e punës (ose profesionit) më ishte shpjeguar nga Dr. Adler. Unë pata qenë një fëmijë i ndrojtur, i frikësuar nga aventurat. Adleri na tregoi se rinia e takon ndjenjën e inferioritetit në shumë mënyra, një person mund të hiqet kokorosh, duke kërkuar kompensim për t’u ndeshur; e një tjetër mund të bëhet bamirës. Ai vetë, Dr. Adler u tha grupeve të tij se si fëmijë pati qenë i ndrojtur dhe dritëshkurtër, e rrihnin djemtë më të mëdhenj e shumë shpesh shokët e tij nuk e përfillnin. Në fëmijërinë e tij, kur e ndjeu se ishte shumë inferior, ai e vendosi që do të bëhej njeri i famshëm, një doktor a bamirës; e kjo ndjenjë i dha vrull për të ecur përpara gjatë gjithë jetës.

Ato të mërkura në apartamentin e Adlerit, së pari më ngjallën dëshirën që ta ndërprisja punën në gazetë e të përpiqesha të shkruaja për gjëra më me vlerë sesa artikujt e lajmeve. /Gazeta “Mapo”/