Si në çdo vend tjetër, edhe në Kosovë, media është ndikuar nga pandemia. Në një intervistë për Portalb.mk,Adriatik Kelmendi, Drejtor i Përgjithshëm i KLAN Kosovës dhe autor i emisionit ‘Rubikon’ tregon për sfidat me të cilat janë përballë në këta tre muajt e fundit. Kelmendi e cilëson këtë periudhë, më sfiduesen për gazetarinë kosovare në tri dekadat e fundit.

Si po e transformon COVID-19 gazetarinë në Kosovë?

Kelmendi: Ka pasur ndryshime, që ndoshta edhe nuk kemi pas mundësi t’i shohim më herët, për shkak se situata ka qenë komplet e re. Në Kosovë ka gazetar të cilët kanë qenë edhe në periudhën e shtetit paralel, që ka qenë një situatë e jashtëzakonshme, pastaj ka qenë periudha e luftës, emergjenca e pasluftës, të gjitha këto me specifikat e veta, por situata e pandemisë ka qenë ndryshe nga të gjitha, për arsye se çfarëdo e konsideron që mund të jetë armiku ose ai që ta cenon të drejtën për të zhvilluar jetë normale, në këtë rast edhe gazetari e media normale, në të shumtën e herave dihet, ka një adresë, kësaj radhe me pandeminë nuk ka pas një adresë, një armik pothuajse krejtësisht i padukshëm, me shumë të panjohura në nivel global dhe ka qenë ndoshta sfida më e madhe për ne, si gazetar dhe media. Pse sfida më e madhe? Në radhë të parë është dashtë që të mbrohesh vetë, duke qenë gazetar ose media, mund të jeshë edhe viktimë potenciale, por e dyta, është dashur që t’i mbrosh ata që varen nga informacioni yt, në mënyrë që të mos bien pre e lajmeve të rreme. Në këtë rast, puna është shtuar dyfish e ndoshta kapacitetet dyfish janë zvogëluar për shkak se edhe ne është dashur të punojmë me ndërrime, kur dikush ka punuar nga shtëpia, dikush të dalë kohë pas kohë në pune, kanë qenë edhe restruksionet në udhëtim për shkak të karantinimit të qyteteve, kështu që kjo ka bërë që ne të fokusohemi në mbulimin e COVID-it, por edhe të jemi të kujdesshëm për vete. Vështirësi ka qenë edhe qasja në informacion te autoritetet që e kanë pas informacionin, qoftë mjekët apo organet e sigurisë, megjithëse ne kemi bërë përpjekje që kjo të mos reflektojë në raportim, megjithëse natyrisht se në një situatë normale, raportimi do të ishte më cilësor, por është bërë përpjekje titanike që ta mbajmë nivelin e përgjegjësisë dhe profesionalizmit.

Cilat mënyra/metoda digjitale po përdoren nga gazetarët për të komunikuar me burimet e tyre dhe a mendoni se ata, tani, janë më të hapur të komunikojnë duke shfrytëzuar mjetet digjitale në krahasim me periudhën para pandemisë?

Kelmendi: Është një po e kushtëzuar. Pandemia na tregoj se jo gjithmonë duhet të jesh në vendin ku ndodhet një person që ke nevojë ta intervistosh, e kjo veçanërisht në TV, që kërkohen pamjet. Dhe, ne pamë mundësinë që ta japin aplikacionet e ndryshme për të zhvilluar intervista me cilësi, me akterë që nuk janë domosdoshmërisht në vendin ku ti operon, dhe kjo pastaj ka inkurajuar mediat që ndoshta më tepër se më parë të synojnë që të marrin intervista të niveleve që nuk është mundur të arrihet më herët.Teknologjia ka avancuar shumë, por nuk mund ta zëvendësojë diskutimin e drejtpërdrejt se gjithmonë do të humb diçka nga dinamika, nga ritmi, etj., kështu që kjo ka qenë një nga mësimet e kësaj kohe.

Nga këndvështrimi juaj, institucionet dhe kompanitë a publikojnë më shumë të dhëna në internet në krahasim me më parë dhe a keni vënë re dallim në kualitetin e të dhënave dhe të informacioneve?

Kelmendi: Po, institucionet kanë shfrytëzuar edhe rrjetet sociale, edhe platformat e tjera digjitale për të publikuar të dhëna, për shumë arsye, edhe për t’iu shmang kontaktit të drejtpërdrejt. Te cilësia, ka pasur raste kur për shkak të shpejtësisë për të reaguar, për të mos lënë dezinformata, është kërkuar që të dilet më shpejt me informacion dhe kjo nganjëherë ka ndikuar që ta cenojë atë produktin final, i cili do të duhej të verifikohej më tepër. Ka pas raste kur edhe për shkak të nxitimit, institucionet kanë dhënë informacione të shpejta, sikur rasti i një gruaje që vdiq dhe u cilësua me COVID në Istog, si dhe raste të tjera. Por, ka qenë e dyanshme, se natyrisht në kohën e pandemisë njerëzit kanë pasur më shumë kohë për të shikuar lajme dhe për tu informuar, si dhe nevojë për tu informuar.

Cila është përshtypja juaj – besimi i audiencës në raportimin e medieve është rritur, është zvogëluar apo ka mbetur i pandryshuar gjatë periudhës së pandemisë?

Kelmendi: Nuk besoj se mund të thuhet tash, vazhdojmë të jemi në një situatë pandemike ndonëse me masa më të lehtësuara. Do të duhet ndoshta një hulumtim më i thellë. Unë mund të them se interesimi për tu informuar ka qenë shumë më i madh se më herët dhe kjo mund të çojë logjikisht në besim më të madh. Ne e kemi vërejtur edhe nga shikueshmëria, sepse bëjmë matjen e shikueshmërisë në TV ku punoj dhe ka pasur shikueshmëri shumë më të madhe se sa zakonisht. Nga shpërndarja e lajmeve që kemi prodhuar, ose e videove/emisioneve në rrjetet sociale të kompanisë është rritur dhe klikimi në portalin tonë po ashtu është rritur, që i bie se ka pasur interesim shumë të shtuar për informacionin. Unë besoj se ndërlidhet me besueshmërinë, sepse nëse i beson dikujt, kthehesh për tu informuar te ai.

Cilat aspekte të punës dhe jetës së gazetarëve kanë qenë më të prekura gjatë periudhës së pandemisë?

Kelmendi: E para duke qenë rreziku për të marrë virusin, për shkak se si gazetar, bashkë me policët e mjekët, në njëfarë forme në vijën e parë të frontit dhe ne e kemi pas për detyrë që t’i informojmë të tjerët se çka po ndodh me pandeminë, kështu që edhe kemi shkuar për t’i intervistuar personat që janë dyshuar se janë prekur, ose kemi shkuar në komunat ose në zonat ku ka pas më së shumti të prekur dhe kjo natyrisht na ka rrezikuar edhe vetë ne. Rrjedhimisht është rritur stresi në punë, presioni, dalja me orare më të gjata për t’i zëvendësuar të tjerët e ka rritur presionin. Po ashtu, mediumet janë përballur me ndërprerjen e disa fushatave të marketingut sepse disa kompani kanë pezulluar punën, aktivitetet dhe kanë pezulluar edhe fushatat e marketingut. Kjo menjëherë ka ndikuar në të hyrat e kompanisë, që i bie të hyra qoftë për paga, qoftë për shpenzime të tjera. Ajo që ka ndodhur tjetër ka qenë se edhe ato kompani ose organizata që kanë vazhduar të reklamohen në TV, kanë filluar të mos i bëjnë pagesat me rregull dhe kjo ka qenë një vështirësi shtesë. E mira është që nuk ka zgjatur shumë dhe duke e parë se mediat, përmbajtjet televizive po konsumohen më shumë se më herët, kanë qenë disa kompani të tjera që këtë e kanë parë si profitabile për ta, kanë filluar t’i kthejnë fushatat sepse shikueshmëria ka qenë ndoshta dyfish më e madhe se sa në situata të zakonshme dhe këto kanë qenë sfidat e ndryshme.

Cilat metoda në luftën kundër dezinformatave janë praktikuar nga mediet e Kosovës?

Kelmendi: Është dashur që në këto protokollet që po i përmendim, edhe pse janë protokolle të zakonshme të gazetarisë në situata të jashtëzakonshme, që t’i shikojmë burimet e informacionit, që gjithsesi të insistojmë që të kemi edhe verifikimin nga burimet zyrtare, për shkak se kemi qenë të atakuar nonstop nga gjysmëinformata të rreme, në të tilla situata, njerëzit veprojnë me panik dhe kur frikësohen, atëherë janë edhe të prirur që gjërat t’i lëvizin, ose të mendojnë se duhet reaguar shpejt dhe ne kemi qenë të sulmuar me informata nga të gjitha anët. Është dashur që të kemi kujdes të shtuar, më tepër se sa në rrethana të tjera, për verifikimin e lajmit dhe gjetjen e personave ose burimeve kredibile për të verifikuar lajmin. Kështu që kemi përsëritur gjithnjë se pa pasur së paku verifikime zyrtare, ne do të jemi të kujdesshëm që të mos publikojmë asgjë, pikërisht për shkak se është trefishuar numri i informative që kanë ardh në redaksitë tona.

Kush janë burimet kryesore të dezinformimit në Kosovë?

Kelmendi: Te ne, në rrafshin politik nuk ka qenë në nivelin e shteteve të tjera se e kemi pasur edhe krizën politike dhe e kanë konsumuar kohën më tepër për të bërë beteja politike dhe ka pasur pak a shumë një konsensus për masat që janë marrë nga qeveria dhe komunat për tu ballafaquar me pandeminë dhe kjo nuk ka ngjallur drejtpërdrejt debate të mëdha politike, që rrjedhimisht do të çonin në informata dhe dezinformata se kur do të ktheheshin në betejë politike. Por ka pasur nga njerëz të ndryshëm, qoftë nga të famshmit që kanë pasur shumë ndjekës, qoftë nga persona të tjerë që kanë dashur të kapin vëmendjen e njerëzve, për të thënë teoritë e tyre, për të treguar, për teori konspiracioni, për të treguar mënyrat alternative për ballafaqimin me virusin dhe këto pastaj kanë mundur të bëhen edhe çështje të debatit publik. Por besoj se mediat në Kosovë në masën më të madhe, sidomos ato tradicionale si TV, kanë luajtur rol bukur të kënaqshëm në informimin e drejt të qytetarëve dhe është mirë që pjesa më e madhe e qytetarëve ka zgjedhur mediat tradicionale që të informohen dhe duke pas parasysh se edhe në rrjetet sociale, këto media kanë prezencë të lartë, atëherë edhe në rrjete sociale kanë dominuar më tepër informacionet nga ‘linjat zyrtare’ të gazetarisë se sa nga persona të tjerë që nuk janë të thirrur të servojnë informacion.

A është intensiteti i dezinformatave i njëjtë tani, si para fillimit të pandemisë si dhe çfarë mendoni për llojin e dezinformatave të shpërndara gjatë kësaj periudhe?

Kelmendi: Besoj se ka pak ndryshime, por jo në sasi. Derisa në fillim ka pasur dezinformata më tepër se prej nga erdhi virusi, sa njerëz do ta pësojnë, tash kemi kaluar në një stad tjetër, se a ishte gjithë kjo ndoshta një makinacion i të pushtetshmëve, se mos është bërë për përfitime të ndryshme. Pra, ka ndryshuar nga frika që çka do të na ndodh që ka përhapur informata, në frikën se kush na e bëri dhe për çfarë arsye. Tash më duket se më shumë jemi në fazën e dytë, kur njerëzit kanë filluar të jenë skeptik se pse u ndërmorën gjithë këto masa dhe a ka diçka përtej një virusi, pse kjo u bë në masën e paparë ndonjëherë.

A ka ndikuar pandemia në qasjen e informacionit?

Kelmendi: Ia vlen të theksohet se e ka rritur bashkëpunimin ndërmjet mediave dhe institucioneve, duke e parë se varen nga njëri-tjetri dhe kjo mund të jetë diçka e mirë. Natyrisht, nuk duhet harruar se gjithnjë gazetarët duhet t’i marrin me rezerva edhe burimet zyrtare nganjëherë, nga kush vijnë dhe t’i hulumtojnë në terren, në masën që është e mundur në situata të tilla. Besoj se kjo ka përmirësuar në një masë edhe nevojën e bashkëpunimit në rrafshin e informacionit media dhe institucione, qofshin lokale, shëndetësore apo të qeverisë qendrore.

A jeni më të shqetësuar për privatësinë tuaj tani që një pjesë e madhe e komunikimit ndodh online ose përmes telefonit?

Kelmendi: Si secili ilaç, që i ka kundër efektet e veta, besoj se edhe ky ilaçi që zbuluam për të komunikuar në situata kur je i mbyllur, i ka efektet negative anësore, të cilat mund të jenë përgjimi ose përdorja/vënia në dispozicion pavetëdije e informatave që ne i marrim ose i japim me palët e treta. Kështu që, përdorimi i teknologjisë së komunikimit gjithmonë rritë hapësirën për të interferuar dhe për të qenë i survejuar ose i përgjuar gjatë gjithë kohës. Kjo pastaj ka rrezik edhe të keqpërdoret.

Të gjitha komentet dhe vërejtjet në lidhje me këtë dhe artikujt e tjerë të Vërtetmatës-it, kërkesat për korrigjime dhe sqarime, si dhe sugjerimet për verifikimin e deklaratave të politikanëve dhe premtimeve të partive politike, mund t’i dorëzoni përmes këtij formulari