Pas publikimit në media se në kohën kur ndodhën trazirat në Kuvendin e Maqedonisë, në brendësi të godinës ishte i pranishëm edhe një agjent i spiunazhit serb, në shtetin fqinj është krijuar një debat madhor, ndërsa i mandatuari Zoran Zaev, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin në ikje të Serbisë, Alexandër Vuçiç, ku është diskutuar pikërisht për këtë çështje.
Në njoftimin që ka dhënë për mediat, Zaev nuk ka bërë të ditura shumë detaje, por njoftoi se kishte kërkuar që shërbimet inteligjente, të të dyja vendeve, të mbanin komunikim të vazhdueshëm për të sqaruar arsyet e prezencës së Goran Zhivaljevic, pasditen e 27 prillit në ambientet e Parlamentit. Ai shtoi gjithashtu se pret një përgjigje nga zyrtarët serbë.
Nga ana tjetër, Presidenti i zgjedhur i Serbisë, Alexandër Vucic mësohet të jetë shprehur se antari i shërbimit inteligjent serb nuk ka kryer ndonjë vepër penale dhe as nuk ka organizuar futjen e protestuesve në ambientet e Kuvendit. Kryeministri në ikje i Serbisë ka thënë gjithashtu se detyra e agjentit ka qënë thjesht raportimi mbi atë që po ndodhte në sallën legjislative.
Gjithashtu, sipas Vucic, edhe në protestat që janë organizuar pas triufmit të tij në zgjedhjet presidenciale, ka patur zyrtarë nga Shkupi.