Në BDI kërkohen dhe respektohen vlerat, ajo më e rëndësishmja është se vlerat nuk harrohen, sepse janë nevojë dhe ndihmojnë komunitetin shqiptarë në Maqedoni, kështu u shpreh lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në emisionin “Zigzag” në Art Channel.

“Në BDI ka kuadro me vlera, të profesionalizuara dhe të përgjegjshëm për detyrat që kanë. këtu dua t’i përmend ata që drejtuan Qeverinë në periudhë shumë të vështirë, atë të tranzicionit ku të padiskutueshëm dhe shumë të mirë ishte qoftë zëvendësministrja aktuale e Financave, ai i Punëve të Brendshme, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Arbër Ademi, ose për shembull – për të dhënë porosi për gjeneratën se ata që kanë qeverisur sikurse Fatmir Besimi, tani shef i përgjithshëm i fushatës.

Në BDI kërkohen dhe respektohen vlerat, ajo më e rëndësishmja është se vlerat nuk harrohen, sepse janë nevojë dhe ndihmojnë komunitetin shqiptarë në Maqedoni”, tha Ahmeti.

Ai ka apeluar që të dielën, shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre dhe të dalin të votojnë, pa frikë dhe të organizuar ta trajtojnë të dielën si ditë feste.

“Le të votojnë për më të mirin që ata vlerësojnë se do të realizojnë qëllimin e tyre. Apeloj tek të gjitha partitë të kontribuojnë për proces të ndershëm, pa presion mbi votuesit. Të kontribuojmë që këto zgjedhje të jenë të pranueshme, sepse jo të gjithë do të fitojnë, por le të mendojnë që dëshpërimin të mos e shndërrojnë në revoltë, sepse kjo i dëmton proceset dhe imazhin e Republikës së Maqedonisë”, ka apeluar Ahmeti.